Ky eshte vendi ku do të kryejë dënimin ish-ministri i Brendshëm

371
0

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur, këtë të mërkurë, që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ta kryejë dënimin në burgun e Fierit.

Ky institucion penitenciar është i sigurisë së zakonshme dhe është realizuar në kuadër të programit IPA 2007-2010. Punimet për zbatimin e këtij projekti kanë filluar në shkurt 2011 dhe kanë përfunduar në dhjetor 2014. Ky projekt kishte një vlerë ndërtimi prej 14,3 milionë € dhe vlerë mobilimi 1,7 milionë €. Kapaciteti është 600 të burgosur dhe 180 të paraburgosur, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Burgu është vënë në shfrytëzim të plotë që prej muajit shkurt 2015. Ky burg ka një seksion paraburgimi dhe një seksion burgu të sigurisë së zakonshme.

Në këtë burg, ish-ministrit të Brendshëm, do t’i lejohet të ketë vetëm 4 vizita në muaj. Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premte, ora 08:30 – 15:00.

Sipas njoftimit në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, aty zhvillohen aktivitete social- kulturore të shumëllojshme, aktivitete sportive në mjedise të posaçme të konceptuara për këtë qëllim, si dhe ushtrohen aktivitete fetare, sipas llojit të besimit. Të paraburgosurve dhe të dënuarve, u afrohet shërbim shëndetësor dhe stomatologjik, asistencë juridike, asistencë psikologjike dhe sociale, kurse të formimit profesional etj.