Bie euro dhe dollari, ky eshte parashikimi për muajin gusht për lekun përballë monedhave të huaja

237
0

Euro vijon të mbetet në nivele të ulëta përballë lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, për rreth një javë, një euro është shkëmbyer mesatarisht me 116 lekë, duke pësuar luhatje të vogla.

Por rënia që prej fillimit të muajit korrik mbetet drastike, sepse, sipas kursit të Bankës Qendrore, një euro shkëmbehej me 119 lekë. Ky  mbetet një ndër nivelet më të ulëta të regjistruara në vendin tonë që prej fillimit të këtij viti.

Ndikim në dobësimin e euros duket se ka dhënë edhe ardhja e turistëve, por edhe dobësimi i monedhës evropiane në tregjet ndërkombëtare.

Kursi i këmbimit do të vijojë të jetë në ndikimin e turizmit dhe parashikohet një rënie e mëtejshme e euros gjatë muajit gusht, i cili pritet të ketë më shumë turistë të huaj.

Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar raporti euro– lekë ka pësuar rënie me 4.4%.

Zhvlerësimi i monedhës evropiane dhe inflacioni detyroi Bankën Qendrore Evropiane që pas 11 vitesh të rrisë me 0.5% normën bazë të interesit.

Edhe dollari amerikan ka pësuar ulje gjatë ditëve të fundit, duke u shkëmbyer me rreth 114 lekë  nga 117 që ishte në mes të këtij muaji, kur u barazua me monedhën evropiane.