Behuni gati! Rikthehet i nxehti ekstrem, sinoptikanët: Deri të enjten pritet..

5880
0

Shprehja “gusht e gunë” duket se nuk ka më vend. Të paktën për këtë verë. Ditët e freskëta të mes-gushtit do t’ia lënë vendin këtë javë të nxehtit ekstrem.

Vendi është futur prej kësaj të hëne në një valë temperaturash të larta me origjinë nga Afrika dhe që po godasin kontinentin europian.

Kjo valë pritet të zgjasë të paktën deri të enjten, me temperaturat që do të arrijnë në vlerën e atyre të Korrikut.

“Parashikohet që të paktën deri ditën e enjte të jemi nën ndikimin e kësaj vale. Vala e nxehtë ka përfshirë një pjesë të mirë të Europës jugore, ku Shqipëria është në periferi të saj”.

4 do të jenë qarqet më të goditur.

“Mund të tejkalohet shumë pak vlera 40, mund të regjistrohet vlera 40.5 gradë vetëm në disa zona të izoluara; Shkodra, Elbasani dhe qarku i Beratit, përfshirë dhe disa në Gjirokastër mund të shënojnë edhe vlerat më të larta rreth vlerës 40 apo mbi 40”.

E premtja pritet të sjellë një rënie të temperaturave dhe madje nuk do të mungojnë as reshjet e shiut.

“Nga e hëna deri të premten do të kemi mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Vranësirat do të jenë të pranishme pothuajse çdo ditë në pjesën e dytë të ditës”.

Më të shumta reshjet do të jenë në zonat malore. Sinoptikanët thonë se për pjesën tjetër të Gushtit nuk parashikohet që temperaturat të ngjiten me shumë se 32 gradë Celsius dhe se klima do të jetë e favorshme për turistët e shumtë vendas e të huaj që kanë zgjedhur këto ditë për të kaluar pushimet në Shqipëri.