Kush nuk do të paguajë siguracionet e makinës, përveç dënimit me gjobë, rrezikon edhe sekuestrimin e mjetit. Makina do të sekuestrohet nga Policia Rrugore dhe do t’i kthehet pronarit vetëm pasi të ketë paguar siguracionin e detyrueshëm.
Vlera e siguracionit, tashmë do të përcaktohet nëpërmjet sistemit bonus-malus, bazuar mbi historikun e dëmeve të 5 viteve të fundit të drejtuesit të makinës. Ndryshimet për siguracionin e makinave i sjell Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Gazeta “Panorama” zbardh të plotë draftin me ndryshimet, i cili pritet të miratohet nga qeveria, për t’i kaluar brenda vitit për miratim Parlamentit.
Më herët, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se drafti do të ndryshojë tregun e detyrueshëm të sigurimeve, konform standardeve të BE-së. “Vlen të theksohet se Autoriteti ka punuar vetë për hartimin e projektligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike. Projektligji i paraqitur nga Autoriteti në fund të vitit 2016, nuk u pranua për t’u shqyrtuar më tej nga Ministria e Financave. Nisur nga kjo situatë, pas konsultave me grupet e interesit dhe me Ministrinë e Financave, si dhe sugjerimeve të dhëna nga Banka Botërore, tashmë draftligji është dorëzuar pranë ministrisë, duke realizuar edhe pikën 5 të Rezolutës.
Ky ligj do të ndryshojë tërësisht funksionimin e tregut të sigurimit në vend, administrimi i shoqërisë së sigurimit, sistemi bonus-malus një kërkesë e kahershme e Komisionit të Ekonomisë, po ashtu është dhe një detyrim që lind nga progres-raporti i fundit i Bashkimit Europian”, u shpreh kreu i AMF-së në seancën për raportin e 2017-ës të këtij institucioni. Referuar draftit të ri, për herë të parë në legjislacionin për sigurimin e detyrueshëm do të përfshihet nënshkrimi i marrëveshjes mes dy drejtuesve që përfshihen në aksidente për dëme deri në 30 mijë lekë, pa procesverbalin e Policisë Rrugore.
Drafti i ri përcakton që palët, nëse bien dakord, duhet të plotësojnë dhe të nënshkruajnë Raportin Europian të Aksidenteve. Nëse nuk bien dakord, duhet të marrin procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore. Formulari, që do të plotësohet nga drejtuesit e makinave, do të miratohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. “Raporti i nënshkruar nga të dy drejtuesit e mjeteve nënkupton që ngjarja (aksidenti) ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular, përveç rastit kur vërtetohet ndryshe nga shoqëria e sigurimit”, përcaktohet në pikën 3, të nenit 13.
Marrëveshje mes drejtuesve të përfshirë në aksident, nuk mund të nënshkruhet për dëmet me vlerë mbi 30 mijë lekë. Sipas projektligjit të ri, kompanitë nuk mund të ndryshojnë më shumë se 2 herë në vit çmimet e siguracioneve të makinave. Drafti i ri parashikon që për dëmet me vlerë deri në 100 mijë lekë, duhet të paguhen nga kompanitë brenda 14 ditëve nga paraqitja e kërkesës për dëmshpërblim./b.d