Ana e errët e ëndrrës amerikane

409
0

Amerika, toka e premtuar për shumë prej nesh, e sidomos për ata që vendosin të largohen prej vendeve të tyre, për t’i siguruar vetes një jetesë më të mirë. Mirëpo, nuk është aq e thjesht të arrish në atë pikë, e me siguri çdokush që kërkon të jetojë ëndrrën amerikane, do të ketë një anë të errët për të zbuluar. E këtij mendimi është dhe fotografja Diana Markosian, që tregon për CNN, historinë e familjes së saj përmes një filmi me metrazh të shkurtër.

Në vitin 1996, asokohe 6 vjeç, së bashku me nënën dhe vëllain, u nisën në Amerikë, pa i dhënë lamtumirën babait të tyre. Pas udhëtimit nga Moska në Los Anxhelos, familja u vendos menjëherë në Santa Barbara për 9 vjet.

“Kur erdhëm në Amerikë në ’90, u ndje si një ëndërr absolute të ishim këtu. Mamaja ime adhuronte faktin e të qenit një amerikane. Telenovelat amerikane që transmetoheshin në Rusinë post-Sovjetike ndiqeshin nga miliona rusë, ndër to nëna ime, që e mendonin Amerikën një botë emocionuese dhe ekzotike”, shprehet fotografja.

Mirëpo, Diana kurrë nuk do të mendonte se në të vërtetë, nëna e saj, e dashuruar me vizionin e Amerikës që kishte parë në televizion, do të braktiste çdo gjë, edhe babanë e saj. Pas shumë vitesh ajo mësoi se, si shumë në ato kohë, edhe nëna e saj u dërgua në Amerikë nga një agjenci ruse që bashkonte gratë sovjetike me burrat amerikanë. E ndërsa me babain e saj nuk arriti prej shumë vitesh të takohej, derisa arriti ta gjente atë në Jerevan, Armeni.

Frymëzuar nga një histori e tillë, nga një ndjenjë sa zemërimi aq edhe përmallimi, Markosian vendosi të realizojë një film me metrazh të shkurtër për të risjellë mes imazhesh udhëtimin e familjes së saj. Qindra persona morën pjesë në audicione për të qenë pjesë e kastit të filmit “Santa Barbara”.

Projekti, për fotografen Markosian, ishte një formë e artit që e çliroi atë nga ankthi i një historie që shënoi jetën e saj, por njëherazi edhe një projektim i një fenomeni që mund të preki këdo në shoqërinë e sotme, që kalojnë në mundime e sakrifica të shumta për të arritur… ëndrrën amerikane.  Artikullin e plote mund ta lexoni ketu