Lojrat e fatit i shkatërruan jetën, djali i kërkon falje prindërve dhe i jep një premtim

532
0

Duket sikur historitë e forta emocionale nuk kanë të mbaruar në programin “Dua të të bëj të lumtur”. E tillë ishte historia e Eridonit, djalit 25-vjeçar nga Shkodra.

Varësia ndaj bixhozit i kishte kushtuar ndarjen nga e fejuara. Të gjithë rrogën ai e shpenzonte duke luajtur bixhoz, madje hynte edhe në borxhe. Këtë gjendje të Eridonit nuk e pranonte as familja e tij, të cilët i kishin kërkuar që të hiqte dorë prej bixhozit.

Ai jo vetëm që nuk i kishte dëgjuar, por edhe ishte larguar nga ata, duke mos komunikuar për dy vite me radhë. Eridoni kishte humbur jo vetëm familjen e tij, por edhe punën.

Në programin “Dua të të bëj të lumtur” ai kishte ftuar prindërit për t’i kërkuar falje për mënyrën se si ishte sjellë me ta. Në momentin që u hap ekrani, prindërit u prekën dhe pranuan të dëgjonin mesazhin e tij.

Eridoni me lot në sy tha: “E di që ju kam lënduar me ato që kam bërë dhe se si jam sjellë. Ju kërkoj falje dhe ju premtoj që ato gjëra që kanë ndodhur, do të mbeten në të shkuarën. Ju premtoj që nuk do të keni me asnjë shqetësim prej meje”.

Gjithashtu, ai i premtoi atyre që nuk do të luante më bixhoz dhe se kishte ndryshuar.

Momeni më prekës për prindërit e Eridonit ishte letra që ai i kishte shkruar nënës. “Do vijë koha kur ju do të ndiheni krenarë për mua dhe ti nënë do të thuash që ai është djali im i mirë”.

Si gjithmonë, programi “Dua të të bëj të lumtur” e gjeti mundësinë për të ndihmuar Eridonin që të hapte një kapitull të ri në jetën e tij, duke i gjetur një vend pune në hotelin “Grand Europa” në Shkodër.