Ky është qyteti italian ku mund të blini shtëpi për vetëm 3 euro!

386
0

Disa qytete të Italisë, numri i popullsisë së të cilave ka rënë ndjeshëm, po përdorin fenomenin e urbanizimit përmes nxjerrjes në ankand me çmime relativisht të lira të shtëpive, si e vetmja shpresë për të gjetur banorë të rinj.

Programi për shtëpitë, shitja e të cilave nis nga një euro po përdoret si “karrem” dhe duket se ka funksionuar deri diku. Siç raporton CNN, qyteti Sambuca në Siçili është i radhës që po ndjek këtë strategji.

Qyteti ka përjetuar një kërkesë të madhe për shtëpi të lira për shitje në 2019 dhe 2021, dhe tani po përgatitet të nxjerrë në ankand një grup të tretë shtëpish, këtë herë me çmime fillestare prej 3 €.

Sambuca u bë kryefjalë në mediat ndërkombëtare në vitin 2019 kur u raportua për herë të parë se 16 shtëpi po shiteshin për një euro. Dy vjet më vonë, qyteti ofroi një grup të dytë shtëpish, këtë herë me një çmim fillestar prej 2 eurosh.

Në fakt, siç raportohet nga CNN, këto shitje tërhoqën blerës ndërkombëtarë deri nga Lindja e Mesme dhe ndihmuan në rigjallërimin e ekonomisë vendase me një fluks prej 20 milionë eurosh, përmes krijimit të qirave dhe dyqaneve të reja, si dhe kontratave me prodhues, arkitektë, topografë, dekoratorë dhe noterë. “Deri më tani janë shitur 250 shtëpi”, tha kryebashkiaku për median, duke theksuar se interesi në rritje për pushimet në Itali ka krijuar kushtet që kjo strategji të ketë sukses.

Përpjekjet e suksesshme të Sambuca-s për të shitur shtëpitë e saj të zbrazëta i atribuohen kryesisht faktit që autoritetet lokale në fakt zotërojnë shtëpitë e braktisura.

Autoritetet e Sambuca morën në zotërim shtëpitë e braktisura të qytetit pas tërmetit që goditi luginën përreth Belices në vitin 1969. Fatkeqësia natyrore bëri që vendasit të largoheshin nga vendi, duke lënë pas shtëpi bosh. Pikërisht në atë kohë qeveria e Romës miratoi një ligj të posaçëm për ringjalljen e Sambukës që i jepte bashkisë pronësinë e shtëpive të braktisura, pa ndërmjetës. Kjo do të thotë se procesi i shitjes është shumë më i shpejtë, pasi autoritetet vendore nuk kanë nevojë të lidhin pronarët me blerësit.

Rezidencat e ofruara janë shtëpi për një familje, me dy ose tre dhoma gjumi, 50 deri në 80 metra katrorë, të ndërtuara me gurë kafe të artë dhe të shtrira në një ose tre kate. Shumë prej shtëpive kanë ballkone prej hekuri të farkëtuar, me pamje nga rrugët me kalldrëm dhe verandat panoramike, si dhe dyer origjinale të vjetra prej druri të lyera me jeshile dhe harqe dhe dritare të dekoruara.

Por shumica e shtëpive kanë nevojë për riparime dhe janë të mbushura me sende të harruara dhe grumbuj mobiljesh të thyera dhe të pluhurosura. Në varësi të gjendjes së pronës, rinovimet zakonisht fillojnë me 30,000 €, por mund të arrijnë mbi 200,000 €, varësisht nga sa duan të investojnë pronarët.

Megjithatë, ka një kusht në kontratë, pasi rregullat e skemës parashikojnë që blerësit duhet të kenë përfunduar punimet e rinovimit të shtëpive brenda tre viteve ose rrezikojnë të humbasin garancinë e paradhënies.