Nga marrëveshja për pensionet me Italinë do të përfitojne rreth 500 mijë shqiptarë të cilën kanë punuar në shtetin fqinj por nga ana tjetër do të përfitojnë edhe rreth 4 mijë shtetas italianë që aktualisht janë të pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë.
Zv. ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani ka zbuluar “skemën” si do të veprohet me emigrantët që nuk plotësojnë vitet minimale të punës.
Olta Manjani, zv.ministre e Ekonomisë: “Legjislacioni italian parashikon që numri minimal i viteve për të përfituar pensionin e pleqërisë është 20 vite. Ndërkohë që Shqipëria e ka 15 vite kriterin për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Nëse një qytetar shqiptar ka punuar 14 vite dhe ka derdhur kontribute në skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore dhe 19 vite në skemën italiane, pavarësisht se ka punuar 33 vite sipas legjislacionit përkatës nuk përfiton as në Shqipëri dhe as në Itali. Në këtë rast marrëveshja ndihmon për bashkimin e periudhave kontributeve që do të thotë se për efekt të llogaritjes së pensionit këtij qytetari do t’i njihen aq sa kontribuar 33 vite punë. Pra është një benefit i madh pasi siguron që asnjë ditë e kontributeve të tyre të mos të humbasë”.