Gjyshja 104-vjeçare nga Librazhdi rrëfen jetën mbi një shekull, përlotet kur kujton…

289
0

Në shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit rezulton se jetojnë të paktën 150 persona të moshës mbi 100 vjeç. Në fshatin Dorëz të Njësisë Administrative Qendër, në Bashkinë e Librazhdit gjallon prej 104 vjetësh, Sabrije Shkurti, një ndër gratë më të moshuara të Rrethit të Librazhdit. Edhe pse jeton vitet e para të shekullit të dytë të jetës së saj, gëzon shëndet të mirë, madje na rrëfen disa nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm të jetës së saj, por edhe të kombit.

“Në Dorëz jam lind, në Dorëz jam martu. Nuk mora shkollë se kisha qejf punën. Jam martu 16-vjeç dhe jam sot 104. Kam katër goca dhe një djalë. Kohën e Zogut e mbaj mend, italianin kur ka hyj, Enver Hoxhën”, tha ajo. Nënë Sabrija përlotet teksa përmend nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat, teksa rrëfen se një pjesë e mirë e tyre ndodhen në emigracion. Sa për dashurinë që ka për ta, nuk bën diferencime, ndërsa nuk lë pa përmendur as nusen e djalit, e cila i shërben.

“Të gjithë i dua, nuk i ndaj. Kam 24 nipër dhe mbesa. Kam 9 stërnipër në Angli, 8 në Shqipëri. Nusen e djalit e kam në kokë”, tha ajo.

Nusja e djalit, Sanije Shkurti pohon se 104-vjeçarja bën një jetë aktive, lëviz dhe ushqehet shëndetshëm. Ajo shprehet se marrëdhënien me të vjehrrën e ka të shkëlqyer, madje e cilëson si një nënë të dytë.

“Kam 40 vjet këtu. Më ka mbajtur sikur nëna ime. Jeta e saj është një çikë e vështirë. Duhet t’i rrish gati. Nuk jam mërzit asnjëherë prej saj se jam rrit jetime. Fëmijët mi ka rritur kjo se unë isha në punë”, tha ajo.

Vajza dhe djali i nënë Sabrijes pohojnë, se ndihen me fat që kanë pranë tyre, nënën, e cila përpos moshës gëzon shëndet të mirë. Të pyetur për sekretin e jetëgjatësisë së saj, njëzëri shprehen, se dashuria dhe përkujdesi për të tjerët kanë gjallëruar dhe fisnikëruar çdo ditëjetë të saj.