“Një shtëpi që po shembet, një fëmijë invalid, babai i verbër..” Rrefimi mes lotëve i gruas së Kasëmit ..

621
0

FIER- Një shtëpi që gati të shembet, një fëmijë invalid, babai i verbër e pak orendi. Ky është mjerimi në shtëpinë ku Kasëm Pirjasi kishte hyrë kollovar dhe jetonte me gruan, dy vajzat, prindërit dhe një motër të bashkëshortes. 26-vjeçari u arrestua dje si autor i dyshuar i vrasjes së Selkije e Olsi Hoxhallari, nënë e bir në Vlorë, bashkë me të dashurën e tij Hysnie Hoxhallari.

 

vlore, familja e kasem pirjes vraferi ekstreme

Mes lotëve gruaja tregon se ishte në shtëpi kur e mori vesh për arrestimin e të shoqit, megjithëse nuk kishte asnjë dyshim se ai kishte një lidhje jashtëmartesore. Por halleve të varfërisë dhe të sëmurëve iu shtua edhe ky krim në ngarkim të bashkëshortit të saj, duke e bërë më të rëndë peshën e mjerimit. Pak më tej, në këmbët e së motrës, vajza e madhe e Kasëmit qan pa pushim, duket se edhe ajo e ka kuptuar mirë atë që ka ndodhur.

Por një tjetër fakt i rëndë është lidhja që Entela, gruaja e Kasëmit kishte me Hysnien, të dashurën e tij. Ajo thotë se bashkë janë kushërira të dyta. “Aq keq e përjetuam sa nuk ka më ku të vejë”, tregon Entela për gazetarin Ervis Kuci. “BalkanWeb” sjell rrëfimin e plotë të saj.

Keni dyshuar për ndonjë lidhje të mundshme të burrit tuaj?
Jo, jo.

Këtu rrinte në pjesën më të madhe të kohës?
Po këtu rrinte. Kam pasur gocën sëmurë, u krodhëm në borxhe. Iku një herë në shtetin greke, 3 muaj me pasaportë, që lamë borxhet se e çonim çupën në Tiranë, se e kam invalidë. Babai nuk më shikon fare nga sytë. Kam një motër 40 vjeçe të sëmurë, i kam brenda në shtëpi. Po babai qorr dhe i bënte hyzmet burri. Me ato vinim anës.

Ka ardhur jetonte tek shtëpia juaj?
Po jetonte tek shtëpia jonë. Se ne jemi tre motra, e dyta e martuar, e madhja e sëmurë, unë e treta, e vogla.

Me Hysnien çfarë lidhje kishte, njiheshit përpara me Hysnien?
Ne e kemi kushërirë atë. Babai im me babain e saj janë djalë halle, djalë daje, i bie kushërirë të dytë me të unë.

Kishit ndonjë dyshim, për një lidhje mes tyre?
Jo nuk e dija. Unë kisha besim.

Kur e morët vesh lajmin për arrestimin e tij?
Dje e morëm vesh.

Keni vënë re ndonjë ndryshim këto kohë tek Kasëmi?
Jo ai me ne sillej mirë. Nga shtëpia nuk largohej se unë e kisha fëmijën e smurë. Doktorët i kishin thënë që duhet t’i rrish pranë fëmijës. Na kanë dhënë një mjekim ëpr gocën, e më tha do iki o Tela që të lajmë borxhet se këtu nuk kishim mundësi që ta lanim. Kur ishte këtu punonte për 10 mijë lekë në ditë në beton.

Gjatë kësaj kohe ka punuar, nga janari deri sot?
Kur ka pasur punë, ikte punonte.

Gjatë janarit keni vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë?
Jo në shtëpi ka qenë gjatë kësaj kohe nuk ka lëvizur.

Besoni se burri juaj e ka kryer këtë vepër?
Tani unë nuk e di. Nuk di asgjë më tepër.

Ju besoni që burri juaj ka pasur lidhje jashtëmartesore me Hysnien?
Tashi edhe mund të ketë pasur. Unë nuk i shkova asnjëherë Hysnijes, sepse rrija nga dera e brenda për atë fëmijë. Edhe tani kam për t’i dhënë shurupin. Po e ushqeja.

Ju jetoni në kushte të vështira ekonomike?
Copë-copë. Kam 5 dhi me ato mbahem. Jam si ata që u bë përmbytja.

Në shtëpi ishte kur e arrestuan?
Ai ishte në Fier për dokumentet e motorit. Po kthehej në shtëpi, e morën në telefon, i thanë qëndro në Roskovec tek posta. Po i tha ai. Vajti u paraqit në Roskovec, nuk erdhi në shtëpi.