4 sipërmarrëset shqiptare kanë bërë bujë në Amerikë

863
0

Shqiptarët gjithnjë e kanë vërtetuar që nëse punojnë fort dhe e duan vërtetë diçka ja dalin, e madje mund të spikasin mes shumë të tjerëve në çdo vend të botës. Dhe më poshtë do t’ju prezantojmë pikërisht me 4 gra shqiptare, sipërmarrjet e së cilave kanë bërë bujë në Amerikë dhe jo vetëm.

1. Egreis Gjergjani

Nëse ky emër s’ju thotë gjë, ndodh me siguri sepse në Instagram e ndiqni me emrin ‘Thestilettomeup’. Fillimisht, 30-vjeçarja nga Berati mori famë kudo në botë falë pasionit që kishte për këpucët, që janë kryesisht të markës Louboutin.

Prej shumë vitesh ajo jeton në Amerikë me famijen e saj, bashkëshortin dhe 3 fëmijët, 2 djem dhe një vajzë. Egreis çdo ditë ndan copëza nga jeta dhe bizneset e saj në llogarinë e Instagram-it, ku e ndjekin më shumë se 473 mijë njerëz nga e gjithë bota.

Pasi u bë e njohur falë koleksionit të saj gati magjik me më shumë se 500 palë këpuce, Egreis prej pak vitesh ka hapur linjën e rrobave për fëmijë.

‘Itty Bitty Toes’, butiku që operon online ka qenë një ndër ëndërrat më të mëdha të blogeres. Sipërmarrja e saj u bë shpejt e njohur falë postimeve që vetë shqiptarja bënte në rrjete sociale.Së fundmi është kthyer në një firmë të cilës shumë prindër të rinj i drejtohen për të zgjedhur veshje të ndryshme për të vegjëlit e tyre.

2. Ema Savahl

Në fakt, emri i vërtetë i vajzës nga Tirana është Ema Koja, por “Savahl” është bashkimi i emrit të prindërve të saj, të cilëve ia dedikon suksesin e arritur gjatë 2 dekadave. Aktualisht tani ajo është dizenjuesja e firmës së njohur të fustaneve “Ema Savahl”. E specializuar në copa unike të punuara me dorë, Ema tranformon pëlhura mëndafshi, të veshura me kristale dhe gura Swarovski.

Ndonëse gjithçka filloi teksa krijonte veshje për veten, e frymëzuar nga revistat më në zë të kohës, tani ajo ja ka dalë të jetë sipërmarrsja e markës së njohur të modës së lartë.

Dikur ajo punonte si shitëse në një dyqan të Miami-it ku shiteshin rroba të viteve ’60-të të markave të ndryshme dhe çdo ditë kishte shansin të mbante në duart e saj veshje të markave të njohura si Channel, Dior apo Emilio Puçi.

Një ide që asokohe ngjante e çmendur i tha se me një makinë qepëse që kishte në punë mund të bënte mrekullira.

“Fillova t’i modifikoja veshjet sipas fantazisë time e t’i ekspozoja në vitrinat e dyqanit. Kam prishur me dhjetëra veshje derisa të më dilnin siç unë i doja.”- është shprehur Ema vite më parë.

Kështu, që prej 1994-ës stili i saj dalloi dhe po tërhiqte gjithnjë e më shumë vëmendjen e shumë emrave të rëndësishëm të modës . Çdo linjë e kësaj firme ka karakteristën e vet, si në stil ashtu edhe në materialin e përdorur.

3. Lirika Matoshi

Vajza me origjinë nga Prishtina shkoi për studime në “Fashion Institute of Technology” në Neë York pa menduar se krijimet e saj do të ktheheshin në sensacionin e Instagram-it.

Getat e saj u kthyen në trend falë kombinimeve që 20-vjeçarja bënte me detajet. Getat rrjetë, të kombinuara me gurë, flutura apo gjethe u përqafuan shumë shpejt nga njerëz të njohur e të panjohur.

Matoshi tregon se gjithçka nisi kur një ditë mendoi të merrte një palë geta të sajat dhe t’i transformonte në të tilla, pa menduar aspak se një ditë mund t’i shiste apo të krijonte linjën e saj. Aktualisht, ajo ka rreth 188 mijë njerëz që ndjekin krijimet e saj në Instagram dhe prej kohësh bashkëpunon me emra të njohur.

Në profilin e saj mund të gjesh këmbët e Dua Lipa-s, Rita Ora-s, Kesha-s e shumë VIP-ave të tjerë.

4. Valentina Juncaj

E lindur në Mal të Zi me prindër shqiptarë, Valentina ia doli të krijonte linjën e bizhuterive të quajtur “Vajzë”. “Vajzë” u krijua në 2016-ën me qëllim që çdo gratë e çdo moshe të gjenin veten atje. Ideja e sipërmarrëses shqiptare ishte të krijonte diçka ku të reflektoheshin shumë kultura dhe gratë të frymëzoheshin pa marrë parasysh nga ç’vend janë.

Përmes krijimeve të saj, ajo tregon shumë për mënyrën se si është rritur. Qëllimi është që përmes këtyre aksesorëve, çdo grua të shpalosë ekspresivitetin, feminilitetin dhe fuqinë, përmes stilit./anabel/