Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka dhënë detaje këtë të premte për sistemin arsimor si dhe për ndryshimet e reja që do të përfshijnë shkollat 9 vjeçare nga shtatori si dhe ndryshimet që do të ketë këtë vit matura shtetërore.
Në një intervistë në news 24, Kushi tha se nga viti i ardhshëm, në muajin prill sistemi 9-vjeçar do të ketë një javë pushime.
“Viti i ri shkollor fillon në 12 shtator, dhe risia do të jetë që në prill kur përfundojnë periudhën e dytë të shkollës, do kenë një javë pushim nxënësit e 9-vjeçares, siç e kemi pasur dikur, nga data 3 deri në 9 prill do e kenë pushim. Kjo sepse nga Janari deri në Qershor ishte një periudhë e gjatë dhe për nxënësit dhe për mësuesit “, u shpreh Kushi.
Më tej Kushi foli për maturën shtetërore dhe ndryshimet e reja.
“Matura shtetëtore është proces i gjatë më disa etapa, ne po përpiqemi që të marrim të gjitha masat që mos ndodhin problematika si rasti i Turit apo problematika të tjera. Në të gjitha gjimnazet e vendit në këtë periudhë po bëhet një punë intensive në asistimin e maturantëve dhe përgatitjes së tyre. Hartimi i testit është moment kur vëmendja jonë është maksimale. Këtë vit do jetë ndryshe, jo i parapërgatitur kohë më parë, por ditët e fundit një grup mësuesish me eksperiencë do të mblidhen dhe do hartojnë në grup në mënyrë që të kemi test që i përmbahet programi”, tha ministrja Kushi.
Ndër të tjera Kushi foli edhe për dokumentin e prioritetit. Ajo tha se për mësuesinë, apo degët e bujqësisë që tregu ka nevojë por maturantët nuk i preferojnë, është vendosur që studentët që do shkojnë në këto degë, të mbështeten me reduktim apo përjashtim nga sistemi i pagesës apo dhe me bursa.
“Para pak vitesh kemi bërë një reformë kurrikulare të rëndësishme, që nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike dhe të punojnë në grup. kjo kurrikul u krijua që t’i përgjigjet nevojave që ka sot tregu. Sot nxënësit duhet të mendojnë në mënyrë kritike, problemi ishte më shumë tek mësuesit sepse ishin mësuar për shumë vite që nxënësit të mësonin përmendësh, por për këtë arsye kemi trajnuar mësuesit për t’i përshtatur me kurrikulën e re. Sapo kemi përgatitur dokumentin e prioritete, ato fusha studimi që ka nevojë vendi. Për mësuesinë, apo degët e bujqësisë apo inxhinierisë, që tregu ka nevojë por maturantët nuk preferojnë, ne kemi vendosur që ata që do shkojnë në këto degë, t’i mbështesim me reduktim apo përjashtim nga sistemi i pagesës apo dhe me bursa”, sqaroi Kushi.