Numerohen kutitë e fundit/ Çfarë pret PS-ja dhe si ndahen mandatet

412
0

Kur kanë mbetur edhe rreth 6 % e kutive të numërimit pa u numëruar në shkallë vendi, socialistët vijojnë të kryesojne aktualisht në rang kombëtar me 74 mandate.

Mbeten për t’u numëruar rreth 60 kuti në Durrës dhe 250 kuti në Tiranë, ku luhaten edhe mandatet e fundit. Elbasani ende nuk e ka konfirmuar rezultati, pasi pret përgjigje nga KQZ, duke qenë se pretendon 9 mandate nga tetë që ka marrë aktualisht.

Socialistët kanë arritur të shtojnë në orët e fundit një mandat që prej orëve të mëngjesit, duke marrë një mandat të tetë në qarkun e Durrësit.

Gjithsesi diferenca është mjaft e ngushtë, ku PS dhe LSI ndahen nga rreth 60 vota në një kufi mes Elona Gurit dhe Edi Ramës.

Aktualisht në Tiranë PS kryeson me 18 mandate, ndjekur nga Partia Demokratike me 15 mandate. LSI ka dy mandate ndërsa PSD një mandat. PS me votat e kutive të fundit pretendon mandatin e 19-të, ndërsa nëse e arrin, i heq PD-së një mandat.

Sa i përket ndarjes së mandateve brenda listës së partive, pritet se cilën qark do të preferojnë kryetarët që kanë fituar në dy prej tyre, si për shembull Edi Rama dhe Monika Kryemadhi, që duket se kanë fituar përkatësisht në listat e Tiranës dhe Fierit dhe të Durrësit e Vlorës.

Si ndahen mandatet në qarqet e tjera

Elbasan/ PS merr 8 mandate, PD ka arritur të fitojë 6 mandate, ndërsa LSI nuk ka marrë asnjë mandat.

Korçë/ Socialistët kanë marrë 6 mandate, ndërsa PD ka arritur të sigurojë 5 mandate.

Kukës/ Qarku që ka mbyllur i pari numërimin, demokratët morën 2 mandate, ndërsa PS vetëm një mandat.

Shkodër/ Demokratët morën 5 mandate. PS ka marrë tre mandate. Surprizë ka qenë PSD me dy mandate, duke lënë pas edhe LSI që ka marrë vetëm një mandat.

Lezhë/ Demokratët 4 mandate, socialistët kanë marrë tre mandate.

Dibër/ Mandatet të ndahen në 3 për PD dhe 2 për PS.

Berat/ PS ka marrë 5 mandate, duke siguruar edhe vendin e Blendi Klosit në Kuvend i cili ishte renditur në vijën e zjarrit, ndërsa PD ka marrë dy mandate. Pa asnjë mandat ka mbetur LSI e cila kishte në listat e saj dy emra të njohur të partisë, Ardit Çela dhe Lefter Maliqi.

Gjirokastër/ Tre mandate socialistët, PD ka marrë vetëm një mandat. Në Vlorë socialistët kanë marrë 8 mandate, duke siguruar vendin e fundit të kryeministrit Edi Rama, PD 1 mandat.

Fier/ Kanë marrë 9 mandate socialistët, duke siguruar edhe vendin në Kuvend të Gramoz Ruçit, i cili pavarësisht se është i 10-ti në listë, pas ndarjes nga jeta të Bashkim Finos, arrin të marrë mandatin e 9 të PS-në në këtë qark, pavarësisht herësit dhe votave që do të marrin kandidatët e tjerë.  Në Fier, PD ka siguruar 6 mandate, ndërsa LSI mbeti pa mandat.