“Hotel Tirana International” i njohur ndryshe si 15 katëshi, ka mbyllur së fundmi përkohësisht aktivitetin pas 41 vitesh punë për shkak të krizës që krijoi pandemia Covid -19.
Burimet nga stafi i menaxhimit bënë me dije se nga tërmeti i vitit të shkuar e deri më tani hoteli u mbajt i hapur nën humbje të mëdha. Kostot e larta fikse për pagesat e punonjësve dhe mirëmbajtjen e godinës e bënë të pamundur vijimësinë. Hoteli, i cili është në funksion që nga viti 1979 do të pushojë aktivitetin deri në përmirësimin e situatës pandemike, dukë lënë pas 100 persona të papunë.
Të njëjtat burime pohuan se stafi do të përfitojë asistencën sociale sipas ligjeve në fuqi, me shpresën e rikthimit në punë me përmirësimin e situatës.
Hotel Tirana është një nga më të mëdhatë në kryeqytet me standardin e katër yjeve me 170 dhoma dhe si një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimit të Konferencave. Veç të tjerash godina e Hotel Tiranës është simbol i kryeqytetit. Ai u vu në funksion në kohën e diktaturës në vitin 1979 pas 10 vitesh punime, me një arkitekturë të stilit socialist.
Ishte ndërtesa më e lartë e vendit deri para disa vitesh. Përdorej ekskluzivisht për delegacione dhe turistë të huaj çka e ka bërë një vend misterioz dhe intrigues për shqiptarët.
Në vitet 2004 hoteli u shit nga qeveria kundrejt një grupi investitorësh vendas kundrejt një vlerë 5.1 milionë euro. Në vitin 2001 ju nënshtrua një rikonstruksioni dhe rimodelimi të plotë, duke e kthyer në një hotel me standarde 4 yje, por paprekur hapësirave që e karakterizojnë.
Në vitin 2012, Ramë Geci, sipërmarrës në ndërtim, bëhet 100% pronar i “Hotel Tirana International”, teksa vlera hotelit arriti 37.5 milionë euro. Hotel Tirana International ka qenë prej vitesh në listën e monumenteve të kulturës deri në vitin 2015 ku me vendim të Ministrisë së Kulturës nuk gëzon më këtë status.
Kompania Geci aktualisht është në kulmin e një investimi të ri që synon zgjerimin e Hotel Tiranës me një hotel të ri rreth 30 kate me pesë yje ngjitur me godinën aktuale të Tirana International.