Kur do te nis renia e infektimeve, ja cfare thote Pellumb Pipero: Deri në javën e dytë të Shtatorit do te kemi..

818
0

Sipas mjekut Pëllumb Pipero, vdekshmëria në Shqipëri prej Covid-19 është njësoj e krahasueshme me vendet e tjera. Megjithatë gjatë një lidhjeje të shkurtër në Tv Klan, mjeku pranoi që vdekshmëria në repartet e terapisë intensive është më i lartë krahasuar me vendet e tjera, por nënvizoi se kjo duhet analizuar në një moment tjetër.  

“Nuk më rezulton kështu. Vdekshmëria në Shqipëri, në spitalet tona është e krahasueshme edhe me vendet e tjera.  Natyrisht nëse i referohemi vdekshmërisë në repartet e terapisë intensive tek ne është më i lartë, por kjo është një situatë që duhet analizuar në kohën e duhur. Sa i përket vdekshmërisë në spitale nuk më rezulton që të jetë me lartë se në vendet e tjera”, tha Pipero.

Pipero parashikon që situata me infektime të larta të vijojë deri në javën e dytë të Shtatorit. Shkak sipas tij është sezoni veror dhe mosrespektimi i rregullave.

“Është e vështirë të bëjmë parashikime. Unë besoj që deri nga fundi i gjysmës së parë të Shtatorit situata do të jetë pak a shumë e njëjtë dhe mandej të shikojmë. Them kështu sepse ekspozimi vijon të jetë i lartë qoftë për shkak të pushimeve dhe mosrespektimit të protokolleve”.

Mjeku komentoi edhe terapinë me plazmë që do të përdoret së shpejti në spitalet tona për pacientët e infektuar. Për Piperon kjo terapi është një shans më shumë që të mbijetojnë personat e infektuar.

“Duhet të jemi të qartë që mrekulli me skemat e mjekimit me Covid-19 nuk ka sot në asnjë vend të botës, por përdorimi i plazmës ka dhënë rezultate mjaft optimiste dhe po merr përdorim të gjerë në të gjitha vendet. Ndihmon pacientët. Plazma jep një shans për të mbijetuar pacientët”, tha Pipero.