3 metra larg njëri-tjetrit në det, qeveria publikon protokollin e plazhit 2020

701
0

Ne kete verë, do të na duhet të qëndrojmë 3 metra larg njëri-tjetrit në det, ndërsa çadrat në rërë do të jenë 3,5 metra larg njëra-tjetrës. Kështu është përcaktuar në draft-protokollin e përbashkët të Ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë, që propozon masat që duhet të merren nga operatorët turistik për sezonin veror.

Në draft përcaktohet se ky protokoll do të hyjë në fuqi nëse shfuqizohet gjendja e emergjencës, e cila deri tani përfundon më 23 qershor.

Në draft-protokoll përcaktohet gjithashtu distanca prej 1 metër qe pasagjerët duhet të mbajnë në autobusë dhe furgona kur udhëtojnë me mjete të përbashkëta.

Ndërsa në hyrje të çdo hoteli apo shtëpie pushimi duhet të matet temperatura e vizitorëve, në mënyrë automatike ose përmes një personi të caktuar për këtë detyrë.

Shërbimi bufe nëpër hotele nuk do të lejohet, sipas këtij draft-protokolli, pasi klientët do të duhet të shërbehen në çdo rast nga personeli i restorantit, sigurisht duke përdorur maska dhe doreza

Në draft-protokoll përcaktohet mbyllja e të gjitha këndeve për fëmijët brenda hoteleve dhe shtëpive të pushimit, si edhe aktivitetet sportive, kulturore, koncerte apo organizime të tjera të ngjashme.

Çadrat e plazhit do të duhet të vendosen minimumi 3 metra larg bregut të detit për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të pushuesve, ndërsa për çdo 100 çadra kërkohet të ketë në dispozicion të pushuesve një dush me ujë të ëmbël.