Shtetet e Bashkuara thanë se do të nisin arrestimin e së paku 2,000 familjeve emigrante, që ligjërisht do të mund të dëbohen. Operacioni mbarëkombëtar u kërkua nga Presidenti Donald Trump, i cili premtoi se do të largojë “miliona” banorë të paligjshëm nga SHBA.
Operacioni pritet të nisë më 14 Korriik, pasi u shty muajin e kaluar. Gazeta New York Times raportoi se bastisjet janë shtyrë për shkak të mospajtimeve brenda administratës.
Mbështetësit e të drejtave të emigrantëve shprehën zemërim mbi bastisjet e planifikuara në dhjetë qytete të mëdha.
Operacione të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, megjithëse është e pazakonshme të shënjestrohen familje dhe jo imigrantë me histori kriminale.
Trump e ka bërë trajtimin e imigrimit të paligjshëm prioritet të administratës së tij, edhe pse kritikët thonë se ai përpiqet të krijojë armiqësi ndaj popullatave migrante për qëllime politike. /REL