Bashkitë e opozitës nuk lejojnë zgjedhjet më 30 qershor, vjen ndryshimi i papritur nga KQZ

1164
0

Nisur nga ngjarjet e ditëve të fundit mes policive bashkiake që drejtohen nga e djathta dhe forcave të rendit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ndje i detyruar të ndryshojë strategji lidhur me vendosjen e KZAZ në këto njësi vendore.

Një ndër to edhe ajo e Kukësit, u vendos nga përfaqësuesit e maxhorancës në KQZ, që të kalojë nga pronat publike të bashkisë së këtij qyteti në një ambient privat.

Kryetari i KQZ-së Klement Zguri, duke u mbështetur në dekretin e Presidentit që anulon mbajtjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit, shpjegoi votën kundër.

“Me keqardhje shoh që nuk ka asnjë përpjekje serioze nga askush, as individë e as institucione që mund të kenë mundësinë ligjore për të vënë në lëvizje dhe bërë vlerësim real të dekretit të Presidentit. Për këto arsye jam kundër vendimmarrjeve në parim.”

Si pasojë e kërcënimeve për bllokim zgjedhjesh nga bashkitë që administrohen nga opozita, KQZ-ja vendosi të ndryshojë mbi 20 qendra votimi nga shkolla publike në qendra shëndetësore, të cilat janë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Por teksa KQZ-ja vijon punën për zgjedhjet lokale, kreu i opozitës Lulzim Basha ka kërkuar nga kryetaret e bashkive të djathta të vazhdojnë me këmbëngulje zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit për dekretin e Presidentit. Në një mbledhje pas protestës, Basha i kërkoi të zgjedhurve të opozitës në pushtetin lokal që ditën e hënë të nxjerrin urdhrin për heqjen e listave të zgjedhësve në qendrat e votimit.