Sekuestrohet një hotel në Himarë me vlerë 500 mijë euro

659
0

Një hotel dhe trualli ku ai është duke u ndërtuar në Himarë, u sekuestrua me vendim të Gjykatës së Vlorës me dyshimin se ka vepër penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Sekuestro Preventive për një hotel në ndërtim dhe truallin ku ndërtohet hoteli në Himarë.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë , zbatuan vendimin për sekuestro preventive dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës, më 20 qershor 2019.

Ky ndërtim ka qenë i lejuar me vendimin nr.64, datë 30 korrik 2018 nga ana e bashkisë Himarë dhe leja e ndërtimit është dhënë në favor të një shoqërie sh.p.k, me administrator F. H., si dhe një sipërfaqe  toke truall prej 700 m2, e ndodhur në Spile të Himarës ku po ndërtohet ky hotel. 

Vlera financiare e objektit dhe truallit kap shifrën rreth 500.000 euro. 

Policia e Vlorës njofton se ky sekuestrim u bë në kuadër të procedimit penal nr. 342 viti 2019, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës”.