3 muaj pas nisjes së hetimeve, ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i janë sekuestruar disa pasuri. 22 mijë e 50 metra katrorë tokë dhe një apartament banimi në Durrës janë bllokuar me argumentin se janë produkt i aktiviteteve kriminale.
Vlera e pronave të sekuestruara sipas njoftimit të prokurorisë është 98, 7 milion lekë të reja. Këto pasuri nuk mund të tjetërsohen deri në një vendim tjetër të gjykatës për konfiskimin apo lirimin e tyre.
Ndërsa prokuroria sqaron se hetimet për këtë çështje vazhdojnë, por pa përcaktuar se çfarë veprimi tjetër do të kryhet në vijim. Prokuroria e Durrësit ne 15 Mars të këtij viti regjistroi një hetim për ish-numrin një të akuzës për veprat penale të pastrimit të parave, deklarim i rremë i pasurisë dhe shpërdorim detyre.
Dosja më pas kaloi tek Krimet e Renda për kompetencë dhe në datën 20 Korrik gjykata vendosi sekuestro preventive për apartamentin 67, 2 metra katrorë, në Durrës dhe 22 mijë e 50 metra katrorë një pjesë ullishte dhe tjetra tokë arë, e gjitha në Tiranë.
Veprimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda vjen gati një muaj pasi Adriatik Llalla i shpëtoi procesit te Vettingut. Komisioni i Posaçem i Apelimit ne datën 11 Qershor vendosi ndërprerjen e procesit për ish-drejtuesin e akuzës shqiptare, pasi kishte dhënë dorëheqjen. Llalla drejtoi Prokurorinë shqiptare nga Shtatori i vitit 2012 deri në Dhjetor të 2017, kur u zëvendësua nga Arta Marku.