Gjermania hap dyert, këto janë profesionet që kërkohen

691
0

Qeveria gjermane do të paraqesë brenda këtij viti një ligj imigrimi. Për këtë ranë dakord partitë në koalicionin qeveritar. Por përmbajtja e një ligji të tillë është ende e paqartë.

Ministri gjerman i Punës Hubertus Heil nga partia Social Demokrate, kërkon të krijojë lehtësira në kërkimin e punës për fuqinë punëtore nga jashtë.

Në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung”, ai foli për një vizë të kufizuar në kohë për degë punë si infermieria në azilet e pleqve, ku ka një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.

Kjo vizë me kufizim mund t’u mundësojë atyre të kërkojnë drejtpërdrejt punë në Gjermani, tha ministri. Në këtë procedurë nuk përfshihet marrja e kontributeve sociale, sqaroi.

“Mund të përfytyroj, që fuqi punëtore nga jashtë të vijë për një gjysmë viti në Gjermani dhe të kërkojë punë këtu”, tha Heil.

“Nëse nuk ia dalin dot të gjejnë punë, atëherë ata duhet të kthehen sërish në vendin e tyre pas përfundimit të afatit. Synimi është të kemi, sa më pak procese burokratike, për ata që kërkojnë punë”, shtoi.

Me kërkesë të socialdemokratëve, koalicioni me bazë të gjerë në Gjermani synon që deri në fund të këtij viti të nxjerrë një ligj, që rirregullon ardhjen e fuqisë së huaj punëtore të kërkuar nga tregu. Me këtë ligj synohet të reduktohet edhe migracioni ilegal.