Burri nga Elbasani: Pash UFO që hidhnin valle mbi zyrën e Qazim Sejdinit

591
0

Një i moshuar nga Elbasani këmbëngul se ka parë UFO në qiellin e qytetit duke shpjeguar edhe detaje nga ngjarja e çuditshme.

“Kisha dëgjuar nga të tjerë për eksperienca nga më të çuditshmet por që do e përjetoja edhe vetë një të tillë gjatë jetës sime ende nuk po e besoj.

Në agimin e së shtunës kur dola në ballkonin e vilës time në lagjen ‘Kala’ në qytetin e Elbasanit pashë diçka të shndritshme në qiell që ngjante me një objekt në formë disku me dritë të verdhë si në të bardhë që valëzonte në ajër.

E gjithë kjo skenë magjike dhe e mrekullueshme po ndodhte mbi hapësirën në zonën ku ndodhen Bashkia, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut Elbasan, ndërsa drejtimi i lëvizjes ishte nga Bregdeti i Adriatikut.

Nuk pata kohë t’i filmoja por me shpejtësi munda të bëj disa foto ku kam fiksuar objektet misterioze në formë disku mbi ish-turizmin. Ishte diçka interesante dhe mjaft emocionuese”, tregon Sabaudin Skilja, me profesion teknik ndërtimi.

“Kam lexuar e dëgjuar shumë rreth UFO-ve dhe besoj se fati e solli që t’i shoh vetë me sytë e mi. Ishin tri disqe me përmasa të ndryshme.

Njëri prej tyre ishte dukshëm mjaft i madh. Dy të tjerët më të vegjël. Fillimisht u hutova nga ajo që po shihja me sy.

Ndriçonin shumë dhe gjithçka dukej qartë. Por kjo zgjati fare pak. Mezi e mblodha veten dhe arrita t’i fotografoj me një aparat modest për të siguruar një dëshmi të asaj që përjetova.

Disqet fluturues dhe të shndritshëm lëvizën me shpejtësi në drejtim të zonës së bregdetit të Adriatikut.

Ishte një përjetim interesant sa hap e mbyll sytë. Edhe një herë e them me bindje që pashë UFO-t që dhuruan spektakël mbi Elbasan në 03:45 të së shtunës”, përfundon rrëfimin elbasanasi. http://www.albeu.al/shqiperi/burri-nga-elbasani-pash-ufo-qe-hidhnin-valle-mbi-zyren-e-qazim-sejdinit/406270/