E pabesueshme! Bleu 1.6 milion euro fustane për nusen, djali nga Lezha surprizon miliarderët botëror

1131
0

Ai i ka lene te gjithe pa fjale!

Në panoramën magjepsëse të Rivierës franceze, resorti luksoz Cap Roc mikpriti për të 25-tin vit radhazi të ftuarit VIP të eventit më glamuroz të bamirësisë në botë.

Ndër 12 ditët e festivalit të Kanës, AmFAR Gala, na befason gjithnjë me paraqitjet super elegante të yjeve në tapetin e kuq. Aktorja Kristen Stewart, supermodelet Irina Shayk, Heidi Klum, Alessandra Ambrosio apo Adriana Lima, ishin vetëm disa prej pjesëmarrësve që çmendën dhjetëra fotografë nga e gjithë bota.

Dhe sigurisht, Bleona Qerreti. Shqiptarja e skandaleve në tapetin e kuq, nuk mungoi as këtë herë në mbrëmjen-ankand. Me një fustan të tejdukshëm ngjyrë floriri, 38-vjeçarja as ketë radhë nuk la vend për të imagjinuar.

Siç mund ta dini, Bleona nuk është e vetmja shqiptare që bën namin në media, sapo del në një tapet të kuq të huaj. Vitet e kaluara, në AmFar-in e Kanës janë parë dhe Angela Martini dhe Aurela Hoxha.

Ama përpos rrezëllitjes së fustaneve dhe stolive, shkëlqimi i vërtetë i personazheve, matet me donacionet që kryejnë për luftën kundër AIDS-it.

Akti i parë i bamirësisë është blerja e biletës, që nis nga 15 mijë euro për kategorinë e mbështetësve të kauzës, në 30 mijë euro për të shënuar emrin në listën e “padronëve” të mbrëmjes.

Më të privilegjuar janë kategoria e bamirësve, 115 mijë euro, të cilëve u rezervohet një tavolinë dyshe. Shifrat variojnë deri në 570 mijë euro për të rezervuar një tavolinë prej 12 personash, privilegj që vjen bashkë me detyrat si organizator.

Këtë vit, mes organizatorëve ishin disa nga ikonat e artit dhe të modës, që nga super modelja Lara Stone, aktorja e Hollywood-it Aishwarya Rai, e pamposhtura e filmave aksion Milla Jovovic, apo drejtuesja e perandorisë Versace, Donatella.

E megjithatë, niveli më i lartë i bamirësisë në AmFAR Gala i takoi fituesve në 11 ankandet për 11 objekte apo vepra të rralla. Biznesmenë e filantropë, e hapën “thesin” e parave për makina luksoze si McLaren 570 S Spider, apo vepra arti siç ishte portreti që aktori Pierce Brosnan, i kishte projektuar legjendës së muzikës country, Bob Dylan. Oferta fituese? 1,2 milion euro!

Një prej relikeve më të përfolura të ankandit ishte edhe koleksioni i peliçeve të aktores më vanitoze në historinë e Hollywood-it, Elizabeth Taylor. U shit për 425 mijë euro!

Mes 11 blerësve të shfrenuar, besojeni ose jo, por ai që surprizoi jo vetëm miliarderët botëror, qe një i ri nga Lezha. Roland Lekaj, i njohur për pozat joshëse si model në revistat aziatike, ofroi shifrën më të lartë për koleksionin e përbërë nga 31 fustane të Carine Rotfield. Për 1.6 milion euro, Roland Lekaj mori bonus dhe nga një puthje nga super modelet e momentit.

“…dhe gruaja krijoi gjithçka”, ishte titulli i sfilatës speciale, ku parakaluan modelet më të paguara të momentit. Një tribut për lëvizjen “MeToo”, që përpiqet t’i japë forcë zërit të grave të abuzuara.

Por, nëse pyesni veten se ç’do të bëjë Rolandi me 31 fustanet, mos u shqetësoni! Modeli shqiptar është prej vitesh i martuar me sipërmarrësen kineze Yu Wenhong, presidente e një prej markave më të njohura të kozmetikës në Azi.

“Ankandi zgjati rreth 15 minuta, por unë s’mund të përshkruaj me fjalë atë që përjetova atë natë. Pavarësisht shumës, unë isha i bindur që atë blerje do ta bëja për nusen time dhe ato para t’i dërgoja për bamirësi. Me AmFAR më ka lidhur nusja ime e cila shkonte vazhdimisht në këtë eveniment. Unë shpresoj të ketë sa më shumë njerëz që të bëjnë këtë gjë siç e bëra unë apo siç bëjnë shumë të tjerë për të ndihmuar njerëzit të cilët vuajnë nga SIDA apo sëmundje të tjera”, tha Roland Lekaj në një intervistë ekskluzive për “Jo Vetëm Modë“, në Tv Klan.

E njohur në Evropë me emrin Tereza, pra, si Nënë Tereza, Yu ka zënë vend mes shumë personaliteteve të angazhuar në vepra bamirësie. Bashkë me të edhe Rolandi, vitet e fundit është nga pjesëmarrësit që nuk mungojnë asnjëherë në mbrëmjen AmFAR.

Këtë herë në Cap- Roc, kinezja Yu u shfaq krah shqiptarit me një fustan të pazakontë.

AmFAR, mbetet eventi më i rëndësishëm ku prania e yjeve të artit nuk kalon, vetëm sa për të mbushur faqet e revistave me lajme spektakolare.