VIDEO / Izet Haxhia: Familja Berisha që kam njohur unë (PJESA I)

792
0

Unë nuk kam patur fatin që të jem gazetare në vitet ’90.

Por kryeredaktori im Adrian Thano më ka nxitur drejt intervistave mbi ngjarjet e forta të atyre viteve që siç thotë ai, shënjuan fatin e asaj që po jetojmë sot.

Kur intervistova këtë verë Jaho Mulosmanin, dhe më pas Fatmira Hajdarin besova që nuk do ecja më tej. Por reagimi qytetar ishte një uri e jashtëzakonshme. Gazeta u shit si buka e ngrohtë. Komentet ishin të të gjitha natyrave dhe pyetjet në vend të reduktoheshin shtoheshin.

Një ditë njëri nga komentuesit me emrin Izet Haxhia ndërhyri me një replikë me ato çka kish’ thënë zonja Fatmira Hajdari. Shumë miq e kolegë thanë se ishte një njeri që po shtirej sikur ishte ish-badigardi i Berishës, por në redaksi zbuluam shumë lehtë se komentuesi me emrin Izet, shkruante nga një IP turke. Nuk humbisja asgjë nëse i shkruaja këtij komentuesi dhe e bëra duke i lënë adresën e email dhe numrin celular të kontaktit në redaksi. Pas 3 ditësh u shfaq një numër turk. Ishte ai, Izet Haxhia. Folëm gjatë me të, gati 35 minuta. Lajmi pozitiv ishte se kisha rënë në gjurmë të një tjetër dëshmitari por vetëm kaq.

Izeti më tha se nuk ishte i sigurt për të dhënë një intervistë. Nuk këmbëngula si mushka, kur më rrëfeu se nuk kish frikë për veten e tij por për familjen në Tiranë së cilës tha se i kish krijuar jo pak halle me jetën e tij. Familja ime ka vuajtur shumë prej meje, – më tha ai. Nuk dua më t’i trazoj e t’i tremb. Për ta, unë nuk isha asnjëherë ndihmë por vetëm një ankth, – më rrëfeu gjatë asaj telefonate, Izet haxhia.

Por pas disa ditësh më telefonoi duke më thënë se në Shtator mund të shkoja kur të doja në Turqi për një intervistë me të. Nuk donte kamera fillimisht, por edhe për këtë gjë arritëm në ujdi. Kur mbërrita në qytezën Kusadasi, në Turqi, më bëri përshtypje mungesa e shamive. Turqia që gjeta aty ishte më moderne se ajo ç’ka kisha pritur në mendjen time. Ndërsa Izeti u shfaq siç e kisha pritur me nje pamje veriori, i veshur me një bluzë të kuqe addidas dhe xhinse. Ai shoqërohej nga miku i tij Rrahmani, i cili na shoqëroi kudo ato 24 orë qëndrimi atje, mua dhe grupin e xhirimit.

Me Izetin biseduam gjatë para intervistës por jo për vitet -90 sepse ramë dakord që pyetje-përgjigjet të ishin spontane përgjatë intervistës. Gjatë një shëtitje që bëmë, vura re që të gjithë i thërrisnin Arkadash, (vëlla). Në kafen tonë u shfaqën miq të ndryshëm të tij, disa prej të cilëve flisnin anglishte të mirë për shkak të turizmit që gjeneronte qyteti bregdetar. Secili kishte një histori për të treguar për Izetin. U habita me thënë të drejtën sepse isha bërë gati të takojë një njeri të izoluar dhe të vështirë.

E patakt e pyeta se si është e mundur kjo metamorfozë nga njeri i keq në njeri të dashur? Ai qeshi. Ndoshta edhe u prek por nuk ra në sy! M’u përgjigj se për disa gjëra është vonë por se pavarësisht gabimeve të tij, ai thotë se është përpjekur të jetë i ndershëm me disa parime.

IHera-herës të dukej se kishte dy Berishë në kokën e tij, njërin e donte akoma, atë kur i shërbeu, dhe tjetrin e urrente, atë kur e zhgënjeu. Nuk e di nëse ai është afër së vërtetës, afër asaj që mendojnë armiqtë e tij, miqtë, familja. Unë nuk kisha asnjë emocion edhe pse e pranoj që kurrë nuk më ka ndodhur që një burrë, trim, malësor, i dhunshëm, i zhgënjyer të arrij të nxjerr lot për Tiranën. Ajo që mund të them me siguri është se kjo intervistë me të, hapi një tjetër derë, do thoja, të tranzicionit tonë politik. M.Kazhani

Tri pjesët e tjera mund t’i lexoni KËTU, KËTU dhe KËTU