Tha që kishte dashuruar Ramën, Xhunga për Ornela Vorpsin: Dje, dikush u ndje i mjerë, dikush i jargavitur

556
0

Nga Rudina Xhunga

Ornela Vorpsi ishte kryelajmi i Tiranës, të një të mërkure plot lajme.

Një grua e bukur u kthye në vendlindje dhe sfidoi me sharmin, delikatesën, vetëbesimin dhe fismërinë e saj, banalitetin e një tufe burrash të pakënaqur, që nuk po ngrenë dot kokë, nga kacafytja në të shara e përgojime.

orn-678x381

Ajo vajza e një Tirane tjetër, tregoi se ka një mënyrë ndryshe, për ta dëshmuar të kaluarën, veç kësaj mënyrës histerike që po jetojmë, është ai tregimi me kokën para, kokën lart, tregimi i së kaluarës , duke parë nga e ardhmja.

Ornela Vorpsi ka një jetë të tërë për të rrëfyer, një jetë prej vajze familjeje të prekur, siç quheshin familjet që regjimi iu vinte shenjë në dosje dhe në jetë.

Dhe Ornela i ka treguar të gjitha, çfarë mban mend dhe kujton se mban mend në italisht, siç i ka ardhur, në gjuhën e vendit përballë.

Mbase se në shqip nuk i themi dot të gjitha, se gjuha jote, ca sekrete t’i mban peng.

Ornela ka vite që jeton jashtë, punon, ekspozon, boton, është qytetare bote.

Por erdhi mbrëmë me modestinë e një gruaje të pjekur, që nuk i fshihet  të kaluarës, as i bërtet të tashmes.

Kush jeton bukur, nuk ka nevojë ta bërtasë dhe nuk ka gjë për të fshehur, thjesht tregon.

Siç tregon Ornela, lirshëm në libër, piktura dhe intervista, kudo shkon, ekspozon, boton, performon, si e preferuara e salloneve të artit të mirë.

Tregon Shqipërinë sipas saj, vendin ku nuk vdes kurrë.

Kështu bëri edhe mbrëmë, erdhi dhe falënderoi vendin e saj që po e priste me një ceremoni zyrtare.

Ornela me të zeza, dje ishte ylli i kësaj zymtësie gri që përcjell Tirana e saj, 27 vjet pasi e la pas.

Tirana, tani po kalon një tjetër tranzicion, jo më atë të varfërisë materiale, të post ‘91, por të bllokimit dhe zbrazjes nga vlerat. Është tranzicion edhe më i rëndë.

Tani askush nuk flet më për art, por për para.

Epo paratë nuk mjaftojnë kurrë, ndaj dje, dikujt iu duk se iu fut në pjesë edhe Ornela, dikush u ndje i mjerë, dikush i jargavitur, dikush i qëndisi fletërrufe, si ato që ajo nuk i ka harruar nga fëmijëria.

Sepse Ornela Vorpsi është e madhe për botën tonë të vogël, jo pse është e bukur, jo pse është artiste ndërkombëtare, por sepse nuk është hakmarrëse.

Ajo solli dritë në kacafytjet tona, jo për ideologji, bindje, lavdi e mëri, por vetëm për para. Me atë mënyrën e saj të pastisur.

Ornela Vorpsi ia doli prapë ta sfidojë edhe njëherë Tironën, duke i treguar një tjetër mënyrë për të dëshmuar dhimbjet e së kaluarës, me buzëqeshje, ironi, vetëpërmbajtje, dinjitet dhe lakuriq. Si çdo artist dhe njeri që nuk fshihet, as fsheh.

Ky ishte lajmi dje, jo që Ornela kishte pas dashur Ramën./ dritare.net