Berisha dënohet për herë të parë nga një gjykatë, lexoni për çfarë

712
0

Për herë të parë në karrierën e tij të gjatë politike, Sali Berisha është dënuar nga një gjykatë shqiptare për shpifje.

Ish-kryeministri është dënuar për shpifje më 11 prill nga Gjykata e Tiranës, me 1 milion lekë të vjetra dhe shpenzimet gjyqësore.

Berisha është paditur para 2 vitesh nga gazetari dhe botuesi Carlo Bollino për disa publikime që ka bërë ish-kryeministri në adresën e tij zyrtare në “Facebook”, si dhe për deklaratat akuzuese të pabaza gjatë një interviste televizive.

Nga pala paditëse është kërkuar edhe publikimi i një përgënjeshtrimi të përshtatshëm në faqen e parë të dy gazetave kombëtare, me qëllim për të sqaruar natyrën abuzive dhe të pavërtetë të deklarimeve të bëra ndaj gazetarit Bollino.

Padia e gazetarit nuk është e para që bëhet në drejtim të Sali Berishës, pasi këtij të fundit i janë renditur një sërë padish nga gazetarë dhe politikanë, dhe të gjitha janë bërë nën akuzën e shpifjes.

Por deri më tani, asnjë gjykatë nuk kishte marrë guximin për ta dënuar, sepse ia kishte hedhur paq me pretendimin se në “pelerinën” e politikanit mund të thoshte çdo gjë që mund t’i vinte nëpër mend, dhe se ai përgjithësisht lëshon vetëm deklarata politike.

s.a/dita