Mos u habisni kur te shihni faturën e energjisë elektrike këte muaj, është taksa e re. Ja sa do të paguajmë

1948
0

Duke filluar nga 1 prilli i këtij viti, të gjithë ne do të paguajmë taksën për banesën tonë jo në bazë të sipërfaqes, siç ka qenë deri më tani ligji, por në bazë të vlerës. Vlera nuk do të përcaktohet nga çmimi që e kemi blerë apo që e deklarojmë ne, por nga kadastra fiskale që qeveria është duke hartuar percjell shqiptari.net

Kadastra nuk është gjë tjetër, veçse një program kompjuterik, me vlerën e pronave në çdo zonë në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të këtyre vlerave të përcaktuara në kadastër, të gjithë do të paguajmë taksën për shtëpinë apo bizneset që kemi.

“Unë kam një shtëpi afër Freskut, që i bie në periferi të Tiranës, rreth 100 metra katror. Për të kam paguar si taksë banese rreth 2300 lekë të vjetra në muaj, ose rreth 28 mijë lekë të vjetra në vit. Kam dëgjuar që me këtë taksën e re do të paguajë më shumë, gati dyfish. Nuk më duket e drejtë. Nëse duan të mbledhin më shumë para nga taksat, t’ua marrin atyre që nuk paguajnë, jo të na i rrisin neve që paguajmë”, shprehet Ermira, 43 vjeç që punon në administratë.

“Unë nuk kam paguar ndonjëherë një taksë të tillë dhe as kam ndërmend ta paguaj”, deklaron Enveri, një burrë 52 vjeç, që teksa largohet shton se nuk ka besim të paguajë taksa, se nuk e di ku përfundojnë ato.

Sa do të paguajmë?

Me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti me paketën e re fiskale, duke filluar nga 1 prilli qytetarët do të paguajnë për banesat e tyre 0.05% të vlerës së pronës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.2% e vlerës. Të ardhurat nga kjo taksë shkojnë për  pushtetin vendor. Në vendin tonë, të ardhurat nga taksa e pronës arrijnë në 0.2-0.3% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Shumë më pak sesa në vendet e tjera të rajonit, që mbledhin gati dyfish më shumë.

Formula e re e taksës mbi bazë vlere, u hartua pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me këtë përllogaritje pritet që të ardhurat nga kjo taksë të shkojnë në 0.5% të PBB-së, afër mesatares rajonale.

“Kjo përqindje, në çfarëdo rrethane, për çdo vlere tregu, për çdo zonë kadastrale, që ndodhet një banesë e një qytetari do të jetë shumë më e lartë se vlera që qytetari ka paguar deri në vitin 2017, me sistemin bazuar në sipërfaqe. Nga pikëpamja ime, me këtë formulë do të paguajë

përsëri ai që ka paguar dje, do të paguajë dhe sot. Ai që s’ka paguar dje këtë taksë, edhe pse me nivel të ulët, nuk bindem se do ta paguajë aktualisht dhe se do të motivohet nga formula e re. Formula e qytetarit është xhepi i tij. Nga ana tjetër, për bizneset ligji duket më favorizues, me masën 0.20 % e vlerës së tregut”, deklaron për Citizens Channel Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.

Por ndërsa tashmë është vendosur që nga 1 prilli do të paguajmë të gjithë sipas përllogaritjeve të reja, ekspertët shprehin shqetësim për mënyrën sesi do të përdoren këto të ardhura, që tani do të jenë më shumë.

Gjithashtu, ekspertët rekomandojnë që qeveria të përdorë një standard me aplikimin e kadastrës fiskale. Sipas tyre, vlerat e kadastrës të përdoren jo vetëm për mbledhjen e taksës së pronës, por edhe për shpronësimet.

“Aktualisht, nuk ka detaje të publikuara në lidhje me metodologjinë dhe cila do të jetë vlera e përcaktuar. Megjithatë, për koherencë, do të ishte e logjikshme që vlera e pronës (ndërtesës) mbi të cilën do të paguhet kjo taksë të jetë e njëjtë me vlerën e saj të aplikuar në rastin e shpronësimeve. Detyrimi do të llogaritet si shumëzim i bazës së taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën. Njëkohësisht, qeverisja vendore duhet të jetë pjesëmarrëse në të gjitha hapat e ndërmarra për reformimin e kësaj takse së bashku me komunitetin (biznes apo qytetarë). Qytetarët (dhe bizneset) do të paguajnë më shumë në terma të vlerës së taksës, por në asnjë moment nuk është diskutuar se për çfarë do të përdoren këto të ardhura nga qeverisja vendore, çfarë do të përftojë komuniteti nga kjo pagesë më e lartë? A do të shkojë kjo për përmirësimin e infrastrukturave që shërbejnë pronën? Nëse vlera ndërtesës (baza e taksës), nën-kategorizimet, shkalla e taksës përcaktohen nga qeverisja qendrore, a mund të vazhdojmë ta quajmë taksë vendore? A nuk po cënohet autonomia vendore?”, shprehet për Citizens Channel Merita Toska, eksperte për financat publike në Co-Plan.

Si do të mblidhet taksa?

Taksa e pronës ka qenë në fuqi edhe më herët në bazë të sipërfaqes, por ajo nuk është mbledhur. Pjesa dërrmuese e qytetarëve dhe bizneseve i janë shmangur këtij detyrimi dhe pushteti vendor nuk ka pasur struktura të afta për ta arkëtuar këtë detyrim.

Në këto kushte, qeveria ka gjetur një rrugë të drejtpërdrejtë dhe të sigurtë për mbledhjen e saj. Nga 1 prilli, taksa e pronës do të mblidhet nëpërmjet faturës së energjisë elektrike. Tashmë prej disa muajsh, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u ka kërkuar të gjithë qytetarëve që të bëjnë rifreskimin e të dhënave të banesave të tyre. Afati i fundit është lënë 31 janari. Në të kundërt, do të ndërpritet energjia elektrike, pavarësisht nëse paguani jo apo energjinë.

Mertita Toska, eksperte për financat publike në Co-Plan shpjegon se qeveria nuk është gati të zbatojë formulë të re të taksës së pronës dhe kjo bën që mundësia që ajo të mosfunksionojë të jetë e lartë.

“Ecuria e treguesve fiskalë qartësisht tregon për një performancë të dobët në mbledhjen e detyrimeve si qendrore ashtu dhe vendore. Defiçiti buxhetor gjerësisht mbulohet me borxh të jashtëm apo të brendshëm. Gjithashtu, në katër vitet e fundit jemi përballur me rritje taksash ndryshime në kuadrin fiskal të vazhdueshme. Të dy këto fenomene janë burim informaliteti i vërtetuar empirikisht në literaturë. Nga ana tjetër, rritja e nivelit të taksave nuk është shoqëruar më përmirësim të treguesve fiskalë, që do të thotë, rritja e taksave “nuk mbush arkën e shtetit”. Ndryshimet për taksën e pronës hynë në fuqi në 1 prill 2018. A mundet të jemi në këtë datë, të kemi ndërtuar kadastrën fiskale, drejtorinë përkatëse, përcaktimin e vlerës së pronës, të kemi komunikuar me publikun etj.??? Përgjigjja është evidente në rastin e Shqipërisë. JO. Për sa kohë reformat bëhen me nxitim, me vlerësime sipërfaqësore dhe pa analizuar pasojat ekonomike dhe sociale të tyre, mos–suksesi i tyre është ‘ngjarje me probabilitet të lartë’”, shprehet për Citizens Channel Toska.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe Shoqata e Bashkive, që vlerëson se qeveria nuk është gati për këtë nismë. “Formula e taksimit të pronës mbi bazë vlere është qasje më e përhapur kudo. Por kjo formulë ka akoma shumë të panjohura, që priten të qartësohen me ligjet e dyta, udhëzimet dhe aktet e tjera nga pushteti qendor dhe ai vendor”, deklaron Haxhimali për Citizens Channel.

Edhe vetë Ministria e Financave pohon se me shumë gjasë, kadastra fiskale që do të zbardhë vlerat e pronave në të gjithë vendin nuk do të jetë gati deri në 1 prill. “Nëse nuk do të jetë e  plotë deri atëherë, ne do të zbatojmë çmimet e referencës”, ka deklaruar për median Niko Lera, drejtor i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave.

Qeveria ka gati skenarin B, e përgatitur për çdo rast. Qytetarëve do t’iu duhet të paguajnë. Por a do të marrin më shumë shërbime? A do të kemi më shumë infrastrukturë në zonat, ku banojmë? Kjo mbetet për t’u parë!