Pas disa ditësh me vetëm raste te pakta infektimesh, në 24 orët e fundit është konfirmuar një rritje tejet e lartë e rasteve.
Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se nga 191 testime të kryera në orët e fundit, janë konfirmuar 18 raste pozitive, të cilat janë kontakte të rasteve të mëparshme.
Shpërndarja e tyre është 11 në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe një në Durrës, ndërsa të shëruarit e raportuar janë gjashtë.
“Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por që tregon qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar”, tha Tomini.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si Tiranë 81; Krujë 47; Shkodër 16; Kamëz 12; Fier 5; Berat 5; Elbasan 2; Durrës 2; Kurbin 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.
Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.
Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.
Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. “Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll.