Skip to content

Zgjedhjet e 11 majit/ Celibashi tregon kur dalin rezultatet e para: Të martën pasdite do të…

    Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se synimi i institucionit që ai drejton është shpallja sa më e shpejtë e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, idealisht para pasdites së ditës së martë, ashtu siç ndodhi në proceset e mëparshme.

    I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Celibashi tha se KQZ është përgatitur për të përmbyllur vlerësimin e votave brenda vendit brenda afatit ligjor. Ai paralajmëroi gjithashtu se ndonëse mund të krijohet një ide e qartë mbi rezultatin që në mëngjesin pas ditës së votimit, ky trend nuk duhet konsideruar i pandryshueshëm.

    Celibashi: Do të ishte shumë mirë nëse rezultatin do e shpallim më shpejt se zgjedhjet e kaluara, më shpejt se pasditja e ditës së martë pas ditës së votimit. Nuk e dimë sa do ndikojë numërimi i fletëve të votimit nga jashtë, por votat brenda vendit do vlerësohen brenda parashikimit ligjor. Besoj se e marta pasdite do të na gjejë me të dhëna të plota për votimin brenda vendit.

    Do shikojmë çfarë mund të përmirësojmë që për votimin nga jashtë ky rezultat të jetë publik brenda këtij afati. Besoj se mund të ketë  një trend publik, shifra domethënëse në mëngjesin pas zgjedhjeve, por secili e bën interpretimin si do. Rezultati mund edhe të ndryshojë rrugës, askush nuk e di.