Zgjaten pushimet dimërore ne shkolla, konfirmohet nga ministrja e Arsimit

3067
0

Pushimet dimërore për nxënësit dhe mësuesit këtë vit do të jenë më të gjata. Vendimin e ka konfirmuar ministrja e arsimit, Evis Kushi.

Për shkak të përkeqësimit të situatës nga pandemia dhe vatrave të krijuara edhe në institucionet arsimore, zgjatja e pushimeve dimërore është një nga masat që pritet të aplikohet për të frenuar përhapjen e virusit.

“Vendosëm që nxënësit e fillores të vijnë në shkollë sepse për ta është më e vështirë të zhvillohet mësimi “online”, por edhe konsiderohen si jotransmetues të fortë të COVID-19. Edhe pak ditë mbeten deri në përfundim të këtij 3-mujori dhe kërkoj përkushtim të kalojmë edhe këto ditë, dhe më pas do të kemi një periudhë më të gjatë pushimesh se vitet e tjera, e cila besojmë se do ta stabilizojë disi situatën”, u shpreh Kushi.

Nga Elbasani, ministrja Kushi nuk deklaroi data dhe as se sa do të zgjasin pushimet dimërore të nxënësve për shkak të pandemisë.

Vendimin do ta marrë Komiteti Teknik i Shëndetësisë, të cilët kanë diskutuar më herët për këtë çështje. Ndërsa, në mes të kësaj javës pritet komunikimi i ekspertëve për të publikuar datat e mbylljes së shkollave dhe masave të tjera kufizuese.