Yuri Kim zgjidhet njeriu i vitit 2021/ Ambasadorja amerikane është më e votuara mes shqiptarëve

215
0

Ambasadorja Yuri Kim është personazhi më i votuar nga shikuesit e Top Channel për vitin 2021. Arsyet se përse këtë vit është zgjedhur ambasadorja amerikane janë të shumta, por sipas top channel keto jane disa prej tyre.

Në 2021 u mbushën 30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbrojtës të Shqipërisë që në krijimin e shtetit shqiptar dhe pa përfshirjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot.

Kryefjalë e gjithë përpjekjes 30-vjeçare amerikane, përmes ambasadorëve, ka qenë pasja e një demokracie funksionale. Ndërkohë, dhjetë vitet e fundit, prioritet është jo vetëm çrrënjosja e korrupsionit, por edhe dhënia fund e mbretërimit të të pandëshkuarve.

Janë Shtetet e Bashkuara ato që nëpërmjet diplomatëve në Tiranë i dhanë jetë dhe shtysë reformës në Drejtësi. Nëse sot SPAK ka nisur të godasë peshqit e mëdhenj, kjo po ndodh edhe falë lidershipit amerikan në Shqipëri.

Mes kolegëve të saj ambasadorë në Tiranë, Yuri Kim shihet si një makineri e fortë dhe e pashoq në marrëdhëniet me publikun dhe mënyrën e fortë të mesazh përcjelljes.

Ndërsa për politikanët shqiptarë është kthyer në një urë të pakalueshme kur vjen puna në realizimin e një prej tre prioriteteve të vendosura që kur shkeli për herë të parë në vendin tonë; luftën me korrupsionin.

Ky qëndrim në emër të SHBA-së ishte pika e vlimit edhe njëherë tjetër mes një diplomati amerikan dhe Sali Berishës, i cili armiqësisë së hapur me zonjën Kim, i vuri shenjën e barazimit me atë të sjelljes të një ambasadori rus.

Gjatë vitit që po lëmë pas emri i Yuri Kim pothuajse çdo ditë ishte pjesë e shumë zhvillimeve të forta politike, duke e kthyer ndoshta në ambasadoren amerikane me më shumë peshë. Natyrshëm edhe një armike njësoj si ish kolegët e saja Marisa R. Lino dhe Marcie B. Ries në 1997 kur Shqipëria ishte në prag të një lufte civile.

Dinamizmi, të thënat e gjërave troç, e pa intimiduar nga sulmet, e palëkundur për ta çuar përpara agjendën amerikane në Shqipëri e vendosi diplomaten amerikane në qendër të vëmendjes të opinionit publik. Kjo u reflektua edhe në sondazhin e Top Channel për të gjetur Njeriun e Vitit, 2021.

Garën e fortë mes shumë emrash nga politika, sporti, mjekësia apo media si njeriu i vitit 2021 e fiton Yuri Kim, zonja e hekurt e Washingtonit në Shqipëri.