Kur udhëton ndonjëherë është e vështirë për të ditur nëse duhet të lësh bakshish apo jo. Zakonet ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri dhe pavarësisht se mund të jemi miq të edukuar mund të përfundojmë duke ofenduar dikë. Për t’i bërë gjërat pak më të lehta website-i britanik PopSugar ka bërë një përmbledhje të gjërave që duhet të dini për të gjitha vendet europiane.
Shqipëri: Bakshishi nuk është i kërkuar, por gjithmonë i vlerësuar. Pjesa më e madhe e njerëzve përpiqen që të rrumbullakosin faturën në restorante.
Bosnje dhe Hercegovina: Çmimet në Bosnje dhe Hercegovinë janë shumë të ulëta, prandaj bakshishet do të vlerësohet. Bakshishet janë të pranuara në restorante dhe bare (5-10 % të totalit të faturës).
Bullgari: Stafi në Bullgari paguhet me pagë minimale, prandaj pret që ti t’i shpërblesh me ndonjë bakshish- mesatarja është 10% e faturës.
Republika Çeke: Të lesh 10% bakshish nga totali, veçanërisht në qendrat turistike, si Praga dhe Cesky Krumlov.
Gjermania: Shërbimi gjithmonë është i përfshirë në faturat e restoranteve, por sikurse shpjegohet edhe në website-in knigge.de, duhet të japësh bakshish edhe kur nuk je i detyruar. Rrumbullakosja e faturës do të jetë e mjaftueshme.
Greqia: Disa restorante e rrumbullakosin faturën paraprakisht, kështu që bëni mirë që të hapni sytë para se të jeni dorëlëshuar. Kur të jepni bakshish, lëreni mbi tavolinë ose në dorë të kamerierit. Disa pronarë nuk i lejojnë kamerierët që ta mbajnë bakshishin.
Irlandë dhe Angli: Gjithmonë pritet që të japësh deri në 10% të faturës bakshish në rast se shërbimi ka qenë shumë i mirë. Gjithsesi, ndonjëherë shërbimi është i përfshirë në faturë. Në këto raste mos u ndjeni të detyruar të lini më tepër bakshish.
Itali: Bakshishet nuk priten duke qenë se shërbimi është ngarkuar brenda faturës. Pjesa më e madhe njerëzve vendosin mbi tavolinë disa euro, por rrallë herë më shumë se 10% e faturës./shekulli/