Vrau vajzën, fqinjin dhe plagosi gruan e tij, shfaqen në gjykatë pamjet e rënda të masakrës. Shqiptari nis të bërtasë dhe godet me kokë kafazin

314
0

Në gjykatën e Foggia-s në Itali u zhvillua ditën e premte seanca e dytë gjyqësore e procesit ndaj 45-vjeçarit Taulant Malaj.

Shqiptari akuzohet për vrasjen e vajzës së tij 16-vjeçare Jessica, fqinjit italian Massimo De Santis, si dhe për plagosjen e bashkëshortes Tefta, të cilën e akuzonte për lidhje me italianin.

Trupës gjykuese iu shfaqën dy videot e masakrës, së ndodhur më 6 Maj të 2023-t.

E para u regjistrua nga telekamerat e shtëpisë, ndërsa tjetra me celularin e të pandehurit. Në këtë të fundit shfaqet edhe kufoma e De Santis, në shkallën e pallatit.

Taulant Malaj mori pjesë në seancë vetëm për pak minuta, pasi pak çaste pas shfaqjes së njërës prej videove, të cilat të dyja bashkë zgjasin 15 minuta, ai nisi të bërtiste dhe të godiste me kokë hekurat e kafazit në sallë të gjyqit.

Drejtuesi i seancës urdhëroi largimin e të pandehurit nga salla.

Sipas mediave italiane, videot u shfaqën me kërkesë të prokurorëve Sabrina Cicala dhe Antonio Laronga, në mbështetje të dëshmisë së oficerëve të policisë së San Severo, të cilët ishin të parët që mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet.

Pamjet, të cilat janë tmerrësisht të rënda, tregojnë si momentet e masakrës, të kapura nga kamerat e instaluara në shtëpinë e Tefta Malajt, ashtu sikurse sjelljen e vrasësit menjëherë pas akteve që kishte kryer.

Shqiptari në fakt filmoi si trupat e pajetë të vajzës dhe fqinjit, ashtu sikurse të shoqen e cila mbeti e plagosur rëndë.

Për shkak të pamjeve tejet të rënda, gjykata vendosi që kjo seancë të zhvillohej me dyer të mbyllura.

E pranishme mësohet se ishte edhe bashkëshortja e vrasësit.