Vjen lajmi i mire per ata qe i kane kursimet ne Euro

407
0

Euro ka shënuar një rritje të qëndrueshme në kursin e këmbimit me lekun gjatë gjysmës së parë të janarit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të premten euro u këmbye me 122.3 lekë. Kjo është vlera më e lartë e kursit të euros që prej datës 12 nëntor të vitit të kaluar. Në atë periudhë, leku nisi një mbiçmim të pazakontë për këtë periudhë të vitit, rënie që vazhdoi pothuajse deri në fund të vitit kalendarik, e nxitur në gjysmën e dytë të dhjetorit edhe nga dinamikat sezonale.

Një faktor që besohet se e ndikoi kursin e këmbimit ishte edhe Eurobondi i siguruar nga qeveria shqiptare në muajin nëntor. Mbulimi i pjesshëm i deficitit buxhetor me këto para besohet se e rriti ofertën e euros në tregun valutor. Kjo tendencë e çoi kursin në nivelin më të ulët që prej vitit 2007. Megjithatë, duke filluar nga data 29 dhjetor, tendenca u përmbys dhe qysh atëherë euro iu kthye rritjes, rritje që ka marrë një ritëm më të shpejtë në javën e dytë të janarit.

Agjentët e tregut valutor shprehen se gjatë janarit është vërejtur një rritje e kërkesës për euro, megjithatë është e vështirë të kuptohet nga cilat palë apo subjekte mund të vijë kjo kërkesë e shtuar. Nëse kërkesa qëndron në këto nivele, ekspertët nuk përjashtojnë që mbiçmimi i euros kundrejt lekut të vazhdojë. Gjithsesi, për momentin rritja e euros ngelet ende në përmasat e korrektimit të rënies, deri diku të papritur, që u shënua në periudhën nëntor-dhjetor.

Në fund të 9-mujorit 2021, deficiti i llogarisë korrente të vendit zbriti në 607 milionë euro, 16.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, shtrenjtimi i mallrave të importit, që u theksua sidomos në tremujorin e fundit të vitit, ngelet një faktor që potencialisht mund të ushtrojë presione nënçmuese në kursin e këmbimit të lekut kundrejt euros, që është monedha kryesore në të cilën kryhen transaksionet e tregtisë së jashtme të vendit.

Ekuilibrat e Bilancit të Pagesave do të varen nga masa në të cilën tregtia e shërbimeve, të ardhurat e tjera parësore dhe dytësore (sidomos ato nga puna dhe remitancat) dhe llogaria financiare (kryesisht investimet e huaja direkte) do të arrijnë të balancojnë efektin e pritshëm negativ të rritjes së çmimeve në bilancin e tregtisë së mallrave. Sidoqoftë, ekspertët janë të mendimit se faktor me ndikim në kursin e këmbimit ngelen edhe prurjet informale të valutës nga jashtë, që shpesh lidhen me aktivitete të jashtëligjshme.

Indikator i ofertës së euros janë prurjet në formën e depozitave bankare, që vitin e kaluar shënuan rritje në nivele mjaft të larta. Në fund të nëntorit 2021, depozitat në monedhën europiane arritën vlerën e 5.3 miliardë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, këto depozita janë shtuar me 800 milionë euro ose 17.7%./Monitor