Vjen lajmi i keq qe na prek të gjithëve, nuk ndodhte prej 10 vitesh. Ja cfare ka ndodhur..

307
0

Çmimet në muajin nëntor kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke reflektuan shtrenjtimin e shumë produkteve bazë, kryesisht ushqime dhe pije alkoolike si dhe kostot e transportit.

INSTAT njoftoi se inflacioni, apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit të Konsumit, që mat ndryshimin e një shporte bazë mallrash u rrit me 3.1% në nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është rritja më e lartë në më shumë se një dekadë, që nga korriku i vitit 2011, kur inflacioni ishte në nivelin e 3.6%.

Për herë të parë në 10 vjet inflacioni ka tejkaluar objektivin e shënjestruar të bankës së Shqipërisë prej 3%. Deri tani Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kishte ndjekur një politikë të ndjeshme lehtësuese, duke e ulur normën bazë (instrumentin që ajo ka në dorë për të ndikuar në tregjet financiare dhe ofertën e parasë) në nivele minimale historike prej 0.5%. Banka ka sinjalizuar se mund të ndryshojë kahun e politikës monetare në varësi të ecurisë së inflacionit.

Pse u rritën çmimet

Të gjitha grupet kanë shënuar rritje të çmimeve, por më i fortë ka qenë efekti i ushqimeve dhe pijeve, të cilat zënë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve të një familjeje, me rreth 42% që është më e larta në rajon dhe Europë (në bashkimin Europian kjo peshë është rreth 13%). Si rrjedhojë, çdo shtrenjtim i produkteve ushqimore ka efekt të lartë në inflacion.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,77 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,34 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,04 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Nëntor 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 8,8 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, “Komunikimi” me 3,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 % “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,8 % secili, “Shërbimi arsimor” me 0,5 %. Ndërsa, grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ul me 0,5 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 13,9 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 8,7 %, “bukë dhe drithëra” me 6,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 5,5 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 5,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 4,3 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:

Krahasuar me muajin Tetor 2021, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 1,5 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 % “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,4 % “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %,“Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,2 % pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 %, secili./monitor/