Qeveria hollandeze i ka mbyllur derën Shqipërisë, duke deklaruar mungesën e mbështetjes në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE nëse nuk do të plotësohen disa kushte më parë.
Sipas burimeve, ky është një qëndrim zyrtar i qeverisë holandeze, dokumenti i të cilit është dorëzuar në Parlamentin vendas për miratim.
Aty theksohet, mbështetja për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, por sa i takon Shqipërisë, vlerësohet se është një proces i parakohshëm.
Kësisoj, ministria e Jashtme holandeze rrëzon raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë sa i përket plotësimit të kushteve.
“Qeveria mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur është i parakohshëm”, thuhet në dokument.Qeveria holandeze kërkon përparim bindës në kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në mars, pra ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Holanda thekson se Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka kuorumin e vendimmarrjes, e po ashtu edhe Gjykata e Lartë mbetet ende jashtë funksionit. Theksi vendoset edhe te ligji antishpifje, ku kërkohet reflektimi i plotë i rekomandimeve të Venecias.
“Qeveria mbështet vlerësimin e Komisionit se nuk ka ende kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe se duhet bërë përparim i mëtejshëm në lidhje me rishikimin e ligjit për mediat bazuar në mendimin e Komisionit të Venecias. Gjykata e Lartë nuk është ende në gjendje të shqyrtojë të gjitha çështjet”, vlerëson qeveria holandeze.
Edhe progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta nuk e ka bindur qeverinë holandeze, që të japë dritën jeshile për negociatat. Po ashtu Holanda kërkon dënime për gjyqtarët dhe prokurorët e akuzuar penalisht.
“Janë ndërmarrë hapa kryesorë, në veçanti, në fushën e vetingut të gjyqtarëve të vjetër dhe prokurorëve, por kjo ende nuk po çon në dënime aktuale të gjyqtarëve të cilët ishin akuzuar për akuza penale gjatë aktivitetit të tyre”, vijon dokumenti.
Holanda kërkon përmirësimin e dialogut politik dhe shpreson që në të ardhmen e afërt Shqipëria të dëshmojë progresin e mjaftueshëm që ajo të ndryshojë qëndrim.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Amsterdami zyrtar nuk ka nxjerrë asnjë pengesë dhe se tryeza e parë ndërqeveritare mund të thirret sa po të jetë gati korniza e negociatave.