Vjen lajmi i keq per ata qe i kane kursimet ne Euro, nuk ndodhte qe prej dites se pare te krijimit

1264
0

Euro ra sot për herë të parë poshtë kufirit të 120 Lekëve, duke shënuar nivelin më të ulët historik në kursin e këmbimit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 119.96 lekë, duke prekur një rekord të ri në një cikël nënçmimi që, me thyerje të vogla, kishte nisur që vitin e kaluar.

Agjentët e tregut valutor shprehen se kërkesa për Euro ngelet e pakët, ndërsa në këtë periudhë flukset hyrëse janë përmirësuar ndjeshëm falë rritjes së eksporteve dhe të turizmit hyrës.

Një faktor tjetër që ndoshta ka filluar ta ndikojë kursin e këmbimi mes Euros dhe Lekut është finalja e Ligës së Konferencës, që do të zhvillohet në Tiranë javën e ardhshme. Për këtë ngjarje priten të hyjnë në vend të paktën 20 mijë tifozë të huaj, të cilët do të sjellin shuma të mëdha valute me vete.

Agjentët e tregut mendojnë se ndeshja do të ketë një efekt të pashmangshëm në tregun valutor. Tregu valutor shqiptar është relativisht i vogël dhe prurje në rendin e disa miliona Eurove të përqendruara në pak ditë, do të rrisin ofertën e Euros dhe do ta zhvlerësojnë më tej monedhën europiane kundrejt lekut.

Është shumë e mundshme që javën e ardhshme Euro të prekë rekorde të reja në rënie në kursin e këmbimit me Lekun.

Edhe në vazhdim, fakti që ndodhemi para sezonit veror bën që pritshmëritë të jenë kryesisht në favor të një mbiçmimi të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit ndaj Euros.

Ky mbiçmim i Lekut për shumicën e ekspertëve ka qenë i papritur, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve dhe zgjerimin e deficitit tregtar, sidomos duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar. Por, as shtrenjtimi i importeve nuk e ka zhvlerësuar dot Lekun.

Ekspertët mendojnë se vala e panikut që përfshiu ekonominë pas shëprthimit të luftës në Ukrainë bëri që shumë njerëz të krijonin rezerva të produkteve ushqimore të konsumit. Kjo mund ta ketë ulur disi fluksin e importeve në javët e fundit.

Gjithashtu, edhe importet e energjisë elektrike në muajt e fundit besohet se kanë qenë në sasi më të ulëta, tjetër faktor që e ka zbutur edhe më shumë kërkesën për Euro në tregun valutor.

Mbiçmimi i Lekut në kursin e këmbimit në këtë periudhë mund të ndihmojë ekonominë shqiptare për të amortizuar presionet e larta inflacioniste që vijnë nga importi. Sipas Bankës së Shqipërisë, Leku i fortë i ka zbutur disi këto presione dhe në mungesë të mbiçmimit të monedhës vendase ndoshta inflacioni do të ishte më i lartë se niveli i fundit prej 6.2% që ka raportuar INSTAT.

Konsumatorët përgjithësisht kanë përfitime nga forcimi i Lekut në këtë periudhë inflacioniste, ashtu si edhe huamarrësit që kanë detyrime për të shlyer në monedhën europiane. Ata që humbasin nga forcimi i Lekut janë kryesisht sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve në ekonomi.

Ndërkohë, Leku e mbylli këtë javë duke e forcuar edhe në kursin me valutat e tjera që këmbehen në tregun shqiptar. Ky forcim nuk lidhet gjithsesi me faktorë të brendshëm, por thjesht pasqyron ecurinë e kursit të valutave të tjera kundrejt Euros. Edhe forcimi ndaj monedhave të partnerëve tregtarë dhe kryesisht ndaj Dollarit Amerikan ka një efekt zbutës në përcjelljen e presioneve inflacioniste që vijnë nga importi./Monitor