Qytetaret do të përballen me çmime më të larta të biletave te fluturimeve, nëse avionët do të respektojnë masat e distancimit social gjatë fluturimeve, për të zvogëluar mundësitë e infektimeve.
Linjat e fluturimeve paralajmërojnë se rikuperimi nga pandemia mund të rrezikohet rëndë, nëse vendet e mesit lihen bosh.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) tregon se tarifat e fluturimeve ajrore mund të rriten me 54 % për udhëtarët, pasi linjat ajrore do të funksionojnë me gati 40 % kapacitet më të ulët, nëse vendet e mesit do të jenë bosh.
“Duke hequr vendet e mesit, kostoja e shërbimeve është më e lartë, duke bërë që linjat ajrore të reflektojnë një gjë të tillë në tarifa“, tha Brian Pearce, shefi i IATA, gjatë një telekonferencë këtë javë.
Organizata, e cila përfaqëson rreth 290 linja ajrore që përbëjnë 82 % të trafikut global ajror, tha se më shumë sesa distanca sociale, ajo çfarë zvogëlon transmetimin e virusit është: sanitimi i plotë dhe i shpeshtë i kabinës; pasagjerët të veshin maska në fluturime dhe zbatimi i masave të tjera shëndetësore dhe të sigurisë në aeroporte.
Ka pasur një rezistencë brenda industrisë së aviacionit, ndaj propozimit të ‘vendit të mesit’. Ryanair, transportuesi ajror më buxhetin më të madh në Europë, ka thënë se nuk do të rifillojë shërbimet nëse imponohet një kërkesë e tillë.
Ndërkohë në Kinë, ku kufizimet e udhëtimit janë lehtësuar pasi shpërthimi është vënë nën kontroll, fluturimet brenda vendit panë një rritje të konsiderueshme gjatë festës së punëtorëve në javën e parë të majit, sipas Ctrip.com. Përsëri, tarifat ajrore ishin 32 % më të ulëta në krahasim me periudhën e një viti më parë.
Kalimi nga një mjedis me një tarifë të ulët, në një çmim dukshëm më të lartë do të jetë një dilemë delikate për linjat ajrore, të cilat janë në krizën e tyre më të madhe në histori, ndërsa kërkesa është ulur me 96 %, për shkak të kufizimeve të udhëtimit. Qantas i Australisë tha që biletat e lira do të vijnë për të stimuluar kërkesën, ndërsa linja ajrore rifillon punën në korrik. Në mënyrë të ngjashme, Ryanair gjithashtu ka shënuar ‘ulje të konsiderueshme të çmimeve’ si një mjet për të joshur udhëtarët.