Vjedhja parave në shtëpinë e zyrtares, reagon Rama

116
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për vjedhjen e shtëpisë së ish-zyrtares Alda Klosi nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila në bashkëpunim me të birin i vodhi mijëra euro. Në Tëitter, Rama shkruan se reforma në drejtësi bëhet për të pastruar “llumin” duke iu referuar burimit të dyshimtë të parave të ish zyrtares.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!”, shkruan kreu i qeverisë.

Më tej, Rama shprehet se forca e ligjit nuk duhet të ndalojë përpara askujt kur faktet provojnë se është shkelur për përfitime të paligjshme.

“E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!

Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.”, përfundon kreu i qeverisë.

Kujtojmë që Rozeta dhe Havier Dobi janë lënë në arrest me burg pasëi grabotën rreth 500 mijë euro nga disa shtëpi ku Rozeta punonte i pastruese. Personi që e denoncoi ishte Alda Klosi, ish-zyrtare në kabinetin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, e cila pretendon se Dobi i kishte vjedhur 120 mijë euro.

Pastruesja, sipas raportimeve të deritanishme, kishte hyrë në banesë me çelësin që i kishte lënë Klosi për ta pastruar dhe kishte vjedhur para në interval të ndryshme kohore, por ditën e fundit kishte hapur derën me forcë dhe kishte bërë rrëmujë në banesë, për të inskenuar një grabitje.

Vetë ish-zyrtarja thotë se paratë i kishte ruajtur për të kuruar xhaxhain e saj, që e kishte me kancer dhe të shtruar në një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe për të ka nisur një hetim për të zbuluar nëse thotë të vërtetën e nëse mund të justifikojë burimin e parave që i janë gjetur në shtëpi.