Vetem 4 dite pune per te kursyer energjine, a do te funksionooje nisma e qeverisë

205
0

Me qëllim kursimin e naftës, qeveria pritet që shpejt të vijë me një propozim konkret. “3 ditë mosvajtje në punë, njëlloj si me COVID-in, por jo për infektim, por për shkak kursimi. Kjo është situata”.

Por, ekspertë të tregut të punës thonë se kjo formë do t’i jepte një goditje të madhe një tjetër krize, asaj energjetike. “Teksa tani del nga një anë, më vonë do dalë nga ana tjetër. Pra në qofte se do të reduktohet në pjesën e administratës, do të t’i shtohet konsumit familjar. Harxhimi do të jetë i njëjtë, veçse do t’u faturohet familjarëve”, tha Ergesta Stërmasi, eksperte e tregut të punës.

Ky pohim konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave. Sipas të dhënave të INSTAT, puna nga shtëpia gjatë periudhës së pandemisë nxiti përdorimin e energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë. Nga rreth 2 mijë e 750 gigavat pë orë që u konsumua në 2019-n, energjia elektrike e konsumuar nga familjarët arriti në gati 3 mijë gigavat për orë në vitin 2020, duke shënuar kështu një rritje me 7.8 për qind. Rritja vijoi edhe vitin e shkuar, gjatë së cilit energjia e konsumuar nga familjarët arriti në rreth 3 mijë e 100 gigavat për orë.

Ndërkohë aktorë të tregut të punës i druhen kufizimit të energjisë elektrike, që sipas tyre do krijonte dëme të konsiderueshme te individët e bizneset.

Aktualisht qeveria ka vendosur disa masa kufizuese me qëllim reduktimin e konsumit të energjisë si fikja e ndriçuesve në disa akse rrugore. Gjithashtu, duke nisur nga ora 12 e mesnatës të gjitha Bashkitë duhet të fikin dritat në ndërtesat që nuk kanë domosdoshmëri.