Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropën tha para pak ditesh se izolimet kombëtare duhet të trajtohen si një “opsion i fundit” në luftimin e pandemisë.
Organizata tha se Evropa është përsëri në “epiqendrën” e pandemisë.
“Izolimi i shoqërisë do të parandalonte transmetimin e koronavirusit dhe do t’i jepte sistemit shëndetësor hapësirën e nevojshme, por ai gjithashtu ka një kosto të madhe”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Gjithnjë e më shumë vende evropiane po miratojnë masa drastike për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Kluge tha se një përgjigje e fortë ndaj pandemisë, nuk do të thoshte izolime të rrepta, siç ndodhën në pranverë.
Pasojat e izolimeve përfshijnë shëndetin e dobët mendor, rritjen e dhunës në familje dhe dëmtimin e ekonomisë, paralajmëroi ai.
“Duke pasur parasysh këto realitete, ne i konsiderojmë bllokimet kombëtare një mundësi të fundit”, tha zyrtari i OBSH-së.
“Evropa është në epiqendrën e kësaj pandemie edhe një herë,” tha Kluge, duke treguar se nivelet e vdekshmërisë dhe shtrimet në spital gjithashtu po rriteshin.
OBSH-ja në Evropë përfshin 53 vende, përfshirë Rusinë dhe vendet në Azinë Qendrore. Organizata tha se rajoni kishte kaluar “momentin historik prej 10 milionë rastesh me koronavirus” të enjten.