Skip to content

Vëmendje! Po vjen anticikloni më pas do të ndryshojë gjithçka. Moti surprizon sërish të premten

    Sa herë kthejmë sytë nga Italia për të parashikuar se si do jetë koha edhe në Shqipëri?

    Më të vjetrit na kanë thënë se shiu vjen nga Italia.

    E sot, sinoptikanëve të fqinjit përtej Adriatikut po ju referohemi për të ditur se deri kur do kemi shi.

    Ata thonë se është duke u afruar një anticiklon nga Azoret. Këto janë ditët e fundit të paqëndrueshmërisë, nga sa parashikojnë ekspertët e “Il Meteo”.

    Ftohtë dhe shi, por të premten në Itali mbërrin vera.

    Por, përpara afrimit të valës së nxehtësisë do të ketë – sipas tyre, – edhe një rënie tjetër temperaturash. Grahmat e fundit këto të frontit të ftohtë të përplasur mbi Itali dhe pjesë të tjera të Europës, fundjavën që shkoi, me reshje të dendura e mot të zymtë.

    Mesjava në fakt duket se do të jetë me stuhi, sidomos në lindje të kontinentit të vjetër. Situata nuk duket shumë e mirë as në rajonin e Mesdheut për disa ditë. Është pikërisht ky sistem i paqëndrueshëm që kalon nëpër Korsikë, Sardenjë, më lart në Itali dhe në disa pjesë të Ballkanit, të cilit i faturohet një fundmaji kaq i ftohtë.

    Por, pas kësaj duket se dielli, të paktën për disa vende do të shndërrijë sërish. Nga e premtja, anticikloni sjell një të ngrohtë të qëndrueshëm në veri të Italisë dhe termometri do të arrijë të tregojë 30 gradë Celsius, siç edhe duhej të pritej nga një muaj i zakonshëm qershori.