“Veç mos mbërrifsha në Amerikë. ..Të më puthin këmbët që i largova nga ky vend. E kurrë mos shkelshin më këtu!.

2908
0

Nga Luna Ruvina

Pas 16 e kusur vitesh në Amerikë, ku ka emigruar një komshiu im me grua e fëmijë, i erdhi koha e pensionit. Kishte shkuar në zyrat që merren më këto punë atje në Amerikë e kishte paraqitur dokumentet që i ishin kërkuar. Pas tre minutash, punonjësja i kishte treguar në cilen banke duhet të paraqitej, në cilën datë e sa dollarë do të merrte.

Pas kësaj, preu biletën për Shqipëri e përvecse për t’u çmallur me fis e farefis në vendin e vet, e ndau mendjen të bënte edhe ç’duhej të bënte për të marrë pensionin për aq vjet sa ka punuar këtu. Mblidh dokumente këtej e mblidh andej, është bërë më shumë se një muaj. Diku është punonjësja me leje, ajo e zyrës ngjitur i shpjegon se lejet i jep drejtori, kështu që ajo s’ka se si ta dijë se kur kthehet në punë kolegia. Në një zyrë tjetër iu deshën ditë derisa t’i printe fati e ta gjente punonjësen në zyrë në një prej pushimeve mes kafeve. Një ndërmarrje ku kishte punuar nja pesë vjet s’e gjeti fare. Ishte privatizuar e shokët e dikurshëm, më të rinj se ai, që kishin vazhduar të punonin po aty, kishin muaj e vite pa marrë rrogën. Nëpër zyra nuk pipëtinte kush dhe ai e humbi krejt shpresën se do arrite të gjente ndonjë copë vërtetim për punën e bërë aty dikur.

Duke turfulluar për gjithë ato lekë që iu desh të paguante për shtyrjen e biletës pas një muaj e ca që s’i dolën për të mbaruar punë, më tha: “Veç mos mbërrifsha në Amerikë. Do t’i mbledh grua e fëmijë e do t’u kërkoj të më puthin këmbët që i largova nga ky vend. E kurrë mos shkelshin më këtu!.

Ai të paktën e di se ku e kur do t’i marrë ca dollarë në muaj, kurse unë pyeta veten direkt “Mos duhet t’i filloj letrat e pensionit që tani, se ku i dihet? Apo ta shoh një herë atë punën tek piceria te lagja e tyre në Amerikë, ku i binte të merrja trefishin e pagesës që marr këtu për punë intelektuale për një pension qesharak e të pasigurt”. S’e di!/dritare.net