Vajzat e famshme shqiptare që rigjetën dashurinë pas divorceve

858
0

Kur je personazh i njohur publik, sidomos kur vepron në një vend të vogël si Shqipëria është shumë e vështirë që gjërat të kalojnë pa u vënë re. Gjithçka ka të bëje me jetën profesionale, por sidomos me atë private përbën gjithnjë kuriozitet për fansat dhe admiruesit e shumtë, e veçanërisht për shtypin rozë që i ka ato protagoniste absolute. Po flasim për disa nga vajzat më të njohura të ekranit shqiptar, siç janë moderatorja e Top Channel Arbana Osmani, modelja Aurela Hoxha, sopranoja Inva Mula apo prezantuesja Bora Zemani. Këto janë vetëm disa nga vajzat e njohura shqiptare që së fundmi kanë bërë bujë jo vetëm me angazhimet dhe projektet e momentit, por sidomos me çështjet e zemrës. Pas divorceve të tyre të bujshme, ato kanë rigjetur dashuritë e mëdha të zemrës tek partnerët që u kanë risjellë emocionet dhe buzëqeshjet. Për momentin, janë historitë më të komentuara rozë dhe në këto ditë të nxehta vere ku shumëkush është duke u relaksuar buzë detit diku në “arratistjet” e ëmbla të këtij sezoni, të tilla histori grishëse lexohen me një frymë…

Arbana Osmani
Prezantuesja e njohur dhe ndër më të dashurat për publikun shqiptar, zyrtarisht i ka dhënë fund historisë 16-vjeçare të dashurisë me ish-bashkëshortin, me të cilin ajo ka edhe një djalë, Jon. Ndonëse, Arbana Osmani nuk ka folur kurrë për jetën e saj private, as për ndarjen, e as për dashurinë e momentit që mban emrin e Eduart Grishajt, djaloshit simpatik, që i ka rrëmbyer zemrën, ata të dy janë çifti i momentit dhe duken shumë të lumtur bashkë. Romanca e re e Arbanës dukshëm është një nga më të komentuarat, por përtej lajmeve dhe vëmendjes mediatike, ata po e shijojnë maksimalisht këtë lidhje mes tyre.

Bora Zemani
Janë treshja më e përfolur e momentit, jo vetëm për historitë e dashurisë, por sidomos për angazhimin e ri në ekran. Emisioni që Bora Zemani ka nisur në “Vizion Plus”, bashkë me dy vëllezërit e famshëm Romeo e Donald Veshaj, i bën ata gjithnjë e më të dashur për publikun. Tashmë, nuk është më një sekret. Bora Zemani është divorcuar nga Dj i njohur Vin Veli me të cilin ka edhe një djalë dhe po jeton një romancë të re dashurie me Donald Veshajn. Ata vetë zyrtarisht nuk janë shprehur për lidhjen e tyre të re, por për momentin është një nga dashuritë më të komentuara edhe në publik.

Aurela Hoxha
Modelja dhe sipërmarrësja e njohur, ndonëse prej vitesh është zhvendosur për të jetuar në Spanjë, sërish është një nga protagonistet e shtypit rozë në vend. Aurela Hoxha, është treguar shpesh diskrete në raport me çështjen e ndjenjave, ama për ndarjen nga ish-bashkëshorti Adi, me të cilin ajo ishte lidhur shumë e vogël, ka qenë një nga gjërat për të cilat ajo është shprehur, ndonëse pa shumë bujë. Pavarësisht kësaj, Aurela prej disa kohësh po jeton një super romancë dashurie me njeriun që i ka “vjedhur” zemrën, e për të cilin thotë se është shumë e lumtur që është pjesë e jetës së saj.

Inva Mula
Sopranoja shqiptare me famë botërore, ka një histori jete private që e mban larg vëmendjes mediatike, por kur i jepet rasti në studio të ndryshme televizive, ndonëse me nota të kufizuara Inva Mula shprehet për detaje nga jeta e saj. E divorcuar në vitin 2018-të nga kompozitori Pirro Çako, me të cilin ajo ka edhe një djalë Anthonyn, Inva ka krijuar prej disa vitesh familjen e saj të re me biznesmenin Hetem Ramadani me të cilin ajo ka edhe një vajzë të cilës i ka vendosur emrin Nina.