Ambasada Amerikane në Tiranë ka dalë me një njoftim të rëndësishëm pas qarkullimit në rrjet për një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24”, që ofron udhëtime falas në SHBA ose viza pa pagesë.
Ambasada shprehet se grupi nuk ka asnjë lidhje me to, pra është mashtrim, dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, ndërsa bën me dije se po punojnë me policinë e shtetit për marrjen e masave ndaj mashtrueseve.
Gjithashtu ambasada i bën thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.
Njoftimi i ambasadës:
Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”
Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës.
Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.
U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.