“U dashurua me një djalë, por familja nuk e përkrahu”, qytetari: Sot është 53 vjeçe dhe me probleme mendore

156
0

Një telefonues nga Korça tha për “Aldo Morning Show” në Tv Klan se të sëmurët mendorë duhet të kalojnë nën kujdesin e shtetit. Djali rrëfeu edhe rastin e një bashkëfshatari të tij të sëmurë,  i cili qëndron gjithë ditën në sheshin e fshatit. Sipas tij, i sëmuri është agresiv, ka momente kur shan, por çdo gjë do ishte më mirë nëse ai do kurohej. Më tej, i riu sqaron se ky person nuk ka familjarë të tjerë veç nënës së tij, e cila është e moshuar dhe e ka të pamundur të kujdeset për të.

Pak minuta më vonë, një tjetër telefonues nga Korça, Vladimiri, thotë se e njeh rastin në fjalë pasi kanë qenë së bashku në ushtri. Vladimiri nuk e di shkakun e sëmundjes së tij, por e paralelizon me rastin e një të afërmeje, ndërsa shton se duhet patjetër kombinim midis familjes dhe ndihmës mjekësore.

E afërmja e telefonuesit është sëmurur mendërisht për shkak të një historie dashurie të pamundur, është përfundimi i mjekëve. Ai shpjegon se interesimi ndaj individëve të tillë, kujdesi i familjarëve dhe komunikimi i mirë ndihmon në përmirësimin e gjendjes.

Vladimir: Pashë rastin e atij djalit nga Korça. E kam patur ushtar. Ka qenë një djalë i shkëlqyer. Mundës. Pas viteve ‘90 e takoj rastësisht, më foli me respekt, por nuk ishte ai i pari.

Aldo: Por çfarë ka ndodhur, more vesh  gjë?

Vladimir: Nuk e di, por arsyeja mendoj, se kam eksperiencë për këtë punë. Kam një gocën e dajës dhe në moshën 24-25 vjeç, dashuronte një djalë, familja nuk e përkrahu dhe vajza e dajës tani është 53 vjeç dhe unë interesohem për të se i ati dhe e ëma e kanë bërë me probleme mendore.

Aldo: Vërtet, nga kjo histori?

Vladimir: Po, nga kjo histori.

Aldo: Është vizituar?

Vladimir: Po, e kemi vizituar.

Aldo: Pra, e kanë konfirmuar mjekët që ka probleme.

Vladimir: Nga vizitat që unë i kam bërë vazhdimisht, se ajo një vëlla që ka është në Amerikë. Unë interesohem për të, mënyra e komunikimit e shoqëruar me ndihmën e specialistit, ajo është e qetë, nuk është agresive. Ka të bëjë me karakterin e njeriut që ka qenë para se t’i ndodhte problemi. Edhe ushtari që kam pasur unë ka qenë një djalë shumë i sjellshëm, atë po s’e ngacmove, po s’e acarove, nuk është problem. Thjesht të vjen gjynah pse një djalë kaq i mirë është në këto pozita.

Aldo: Pra, ti thua që kjo është përgjegjësi e familjarëve apo e shtetit?

Vladimir: Kjo është e të dyve. Unë si pjesëtar i familjes së vajzës së dajës time, interesohem për të, e trajtoj mirë, nuk e acaroj, për  mendimet e saj them gjithmonë ‘okej’. Pra, koordinohet edhe mjekimi, edhe sjellja. E marr në telefon, flas, shkoj rri me të, interesohem, i jap ilaçet në kohën e duhur, e trajtoj, duhen kombinuar të dyja gjërat./klan/