Turizmi në Shqipëri, bizneset: Nuk ka staf, po marrim nga Filipinet

323
0

Sezoni veror i këtij viti ka qenë i sukseshëm sa i përket numrit të turistëve të huaj që kanë zgjedhur si destinacion vendin tonë për të pushuar.

Por për ekspertët e turizmit pavarësisht shifrave në rritje, edhe ky sezon ka hasur në një sërë problematikash.

Mungesa e menaxhimit të mbetjeve është një ndër shqetësimet më të mëdha të hasura  përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Sipas kreut të unionit turistik, Rrahman Kasa, vitin që vjen shumë subjekte që operojnë në sektorin e turizmit janë duke parë mundësinë e rritjes së numrit të punonjësve sezonalë, kryesisht filipinas.

“Ka proleme të mëdha edhe me stafin, me pastrimin, nuk gjen pastruese. I ka detyruar shumë struktura akomoduese që të hedhin sytë përtej Shqipërisë dhe i ka detyruar të marrin punonjës nga Filipinet dhe nga vende të tjera të Azisë, që kanë rendimente tepër të larta. Subjekte të ndryshme, një pjesë e madhe e tyre pretendojnë që vitin që vjen të furnizohen me punonjës shërbimi nga këto vende”.

Veç shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që përbëjnë shumicën e turistëve, në rritje kanë qenë edhe turistët nga Polonia, Çekia dhe vendet sllave. Por këta turistë kanë qenë të fokusuar vetëm te turizmi dentar.

Sipas shifrave zyrtare, nga data 1 deri në 15 Gusht kanë hyrë rreth 860 mijë shtetas të huaj, ose 4.5% më shumë se sa viti 2019, i cili cilësohet dhe si viti më i mirë për turizmin në vendin tonë.