Treni i ri i linjës Tiranë-Durrës, ja sa euro do të jetë çmimi i biletës

1895
0

Çmimi i biletës së udhëtimit në linjën e re hekurudhore Tiranë-Durrës do të jetë 1-1.2 euro. Gjithçka u bë me dije nga zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli gjatë diskutimit të projektligjit mbi grantin 35.4 mln euro të Fondit të Investimeve të BE për financimin e rehabilitimit të linjës ekzistuese dhe degëzimit të ri hekurudhor në Rinas.

“Ndodh që bileta, pavarësisht se nuk është përcaktuar, është shumë e saktë në përgatitjen e fizibilitetit të lëvizjes së njerëzve, do luhatet midis 1 euro dhe 1.2 pak a shumë. Pse nuk është përcaktuar kaq saktë nga ne është fakti që i përgjigjet dhe pyetjes tjetër që operatorët do të jenë të hapur, pra do të jenë operatorë publikë, mund të jenë edhe operatorë privatë, sikurse ekziston edhe mundësia e kombinimit të operatorëve”, tha Shkreli.

Kosto totale e projektit kap vlerën e 90 mln euro, nga të cilat 16 milion euro do të financohen nga buxheti i shtetit, 36 mln euro hua e Bankës Botërore dhe 35.4 mln euro granti i BE-së. Afati i përfundimit të punimeve është data 31.12.2020, por sipas Shkrelit ai mund të shkelet vetëm për linjën e re drejt Rinasit.

“Deri vitin tjetër, pra bëhet fjalë për 24 muaj, është plotësisht e realizueshme sepse bëhet fjalë për rehabilitim. Ne mendojmë që do arrijmë ta realizojmë këtë datë , e vetmja gjë që mund të ketë pikëpyetje do të jetë trakti i ri i cili do të shkojë deri në Rinas. Pavarësisht se janë bërë studimet, gjatë punës mund të ketë pikëpyetje që mund ta shtyjnë atë pjesë të hekurudhës brenda targetit mujor”, sqaroi Shkreli.

Referuar projektit, lokomotiva e re do të jetë me diesel, ndërkohë që për lokomotivën elektrike kërkohen edhe 10-12 mln euro shtesë.

Ndërkohë që, sa i takon operimit të linjës, ende nuk është vendosur forma që do të zbatohet, por zv.ministri i Infrastrukturës nuk përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi me kompanitë private.(scan)