Një ngjarje e pazakontë është shënuar në Misisipi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Disa punonjëse të një qendre të kujdesit ditor janë proceduar nga policia me akuzat e abuzimit ndaj fëmijëve.
Katër punonjëset e kopshtit kishin vendosur maska horrori për Halloween, mesa duket për të zbavitur të vegjlit, në një mënyrë krejt të pazakontë dhe që i ka lënë ata të traumatizuar.
Me maskën e personazhit të “Scream”, kujdestarja duket teksa i ulëret në fytyrë fëmijëve që qajnë të shokuar, ndërsa punonjësja tjetër filmon skenën me telefon.
Mbi gratë tashmë rëndojnë akuzat e abuzimit me të mitur. Prindërit janë shprehur për “TMZ” se janë të kënaqur nga akuzat e ngritura dhe kërkojnë me insistim dënimin e tyre me 6 deri në 12 muaj burg.
“Djali im dhe shokët e shoqet e tij janë ende të traumatizuar nga kjo eksperiencë”, u shpreh një prej prindërve.