Transporti publik, nëse nuk merren masa do të kemi rritje të çmimit të biletës 70-80 lekë

275
0

Të vazhdojë subvencioni i shtetit, ose të rritet çmimi i biletës, pasi në të kundërt autobusët urbanë mund të shkojnë deri në ndërprerje të shërbimit.

Ky është paralajmërimi që vjen nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas. Transporti publik është një ndër sektorët më të prekur nga shtrenjtimi i karburanteve.

Në fund të Korrikut, qeveria akordoi 500 milionë lekë nga paketa e dytë e rezistencës sociale, si mbështetje për të kompensuar naftën me 100 lekë për litër, për operatorët në treg. 

Shpërndarja e këtyre parave filloi në gusht, pasi muajt qershor dhe korrik kaluan pambështetje. Në vijim kompanitë kërkojnë që të vazhdojë mbështetja, pasi nëse nuk ndërmerren masa, zgjidhja që sugjerohet është rritja e çmimit të biletës në 70-80 lekë.

Sipas Kostandin Fonit, anëtar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, “hapat tona i kemi konkretizuar duke dërguar kërkesat në institucionet përkatëse. Pa përgjigje, atëherë edhe operatorëve me ato mundësi financiare që kanë dhe do të operojnë duke minimizuar flotën, përndryshe do shkohet drejt mbylljes”.

Bisedimet mes operatorëve dhe pushtetit lokal dhe atij qendror mbeten në nivelin e ofrimit të shërbimit ose jo, ndërsa shërbimi i ofruar dhe qarkullimi i autobusëve vijon të mbetet kaotik.

Qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile nga ana tjetër kërkojnë minimalisht informacion për linjat që ofrohen, për emërtimin e stacioneve, për numërtimin e autobusëve, për frekuencën dhe oraret. Transporti publik urban përdoret mesatarisht çdo ditë nga rreth 200 mijë persona.